
Matematika mund të jetë një ndihmë e papritur gjatë përgatitjes së dhuratave, sidomos kur bëhet fjalë për t’i mbështjellë ato në mënyrë sa më të rregullt, duke shpenzuar sa më pak letër ambalazhi.
Sipas një metode të zhvilluar nga matematikania Sara Santos, edhe mbështjellja e një kutie në formë kubi mund të bëhet më lehtë nëse maten paraprakisht përmasat dhe përdoret një formulë e thjeshtë.
Për këtë metodë, fillimisht duhet të matet diagonalia e njërës anë të kutisë dhe t’i shtohet një herë e gjysmë lartësia e saj. Rezultati përcakton madhësinë e katrorit të letrës që duhet prerë.
Më pas, kutia vendoset në mënyrë diagonale në qendër të letrës dhe cepat e saj palosen drejt mesit. Kjo teknikë mundëson mbështjelljen me më pak material dhe, në disa raste, edhe përputhjen e motiveve të letrës në pjesët ku bashkohen palosjet.
Metoda mund të përshtatet edhe për dhuratat në formë cilindri. Në këtë rast, diametri i bazës shumëzohet me numrin Pi (3.14), për të përcaktuar gjatësinë e letrës që nevojitet për të mbuluar pjesën rrethore.
Megjithatë, mbështjellja e dhuratave në formë topi paraqet një sfidë më të madhe. Sipas ekspertëve të matematikës, është e pamundur që një sipërfaqe sferike të mbulohet plotësisht me një fletë të sheshtë letre pa krijuar rrudha apo palosje.
Një alternativë është përdorimi i disa pjesëve të vogla të letrës, të cilat vendosen në mënyrë të tillë që të mbulojnë sipërfaqen e topit. Një tjetër zgjidhje është krijimi i një forme më të rregullt duke e vendosur dhuratën brenda një kutie.
Ekspertët theksojnë gjithashtu se bashkimi i dy dhuratave me përmasa të ngjashme mund të ndihmojë në kursimin e letrës, krahasuar me mbështjelljen e tyre veçmas.
Në fund, edhe pse matematika mund ta lehtësojë këtë proces, për disa dhurata me forma të pazakonta, zgjidhja më praktike mund të jetë përdorimi i një kutie ambalazhi.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali