Aktivistja nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, Liridona Sijarina, ka kërkuar përgjegjësi institucionale për rastin e Arlinda Zekajt, transparencë mbi hetimet dhe masa të qëndrueshme për mbrojtjen e grave nga dhuna.
Sipas saj, suspendimet e zyrtarëve nuk janë përgjigje e mjaftueshme ndaj dështimeve që ajo identifikon në trajtimin e rastit.
Në episodin e 51-të të “Përballje Podcast”, në bisedë me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu, Sijarina tha se protestat synojnë drejtësi për Arlindën dhe siguri për gratë që kërkojnë ndihmën e shtetit.
“Ne nuk jemi aspak të kënaqura me përgjigjen institucionale”, deklaroi ajo, duke kërkuar që procesi i llogaridhënies të shkojë përtej suspendimeve dhe të hetohet përgjegjësia penale e zyrtarëve të përfshirë.
Sipas Sijarinës, dokumentet dhe denoncimet që Arlinda Zekaj kishte lënë për trajtimin e rastit të saj e bëjnë të domosdoshme zbardhjen e veprimeve dhe mosveprimeve institucionale.
“Për ne është jetike që ky rast të mos mbetet edhe një rast i cili mbetet në arkiva të protestave”, theksoi ajo.
Duke folur për takimin me kryeprokurorin, Sijarina tha se aktivistëve u është dhënë zotimi se nuk do të ketë persona të paprekshëm. Ajo kërkoi që ky zotim të dëshmohet përmes veprimeve konkrete dhe transparencës mbi hapat e ndërmarrë, duke respektuar natyrën e hetimeve penale.
“Nuk mund të vazhdojë ky shtet t’i mbrojë të pushtetshmit dhe ta bëjë këtë në kurriz të viktimave, në kurriz të qytetarëve të Kosovës”, u shpreh ajo, shkruan Telegrafi.
Liridona Sijarina aktiviste dhe kryeredaktori i Telegrafit, Muhamet HajrullahuFoto: Floriana Alija
Sijarina tha se përvojat e mëparshme, kur sipas saj zyrtarë të suspenduar janë kthyer në punë pas rënies së vëmendjes publike, e bëjnë të nevojshme ndjekjen e vazhdueshme të këtij rasti.
Gjatë bisedës, ajo ritheksoi kërkesën që vrasjet e grave të trajtohen si urgjencë kombëtare. Sipas saj, kjo kërkesë është artikuluar nga lëvizja që nga viti 2021, ndërsa siguria e grave ende nuk e ka vendin e duhur në agjendën shtetërore.
Ajo shpjegoi se aktivistët kanë propozuar krijimin e një njësie në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila, në koordinim me Ministrinë e Drejtësisë, do të merrej posaçërisht me parandalimin e femicidit.
Megjithatë, Sijarina theksoi se kërkesat e tyre nuk kufizohen te shkarkimet dhe ndjekja penale. Ajo kërkoi financim më të mirë të shërbimeve sociale, fuqizim ekonomik të grave, banim social dhe mbështetje psikosociale për të mbijetuarat e dhunës.
“Ne nuk mjaftohemi me aq, për shkak se e dimë që ajo vetëm mund ta sanojë ose të sjellë një lloj drejtësie për raste specifike”, tha ajo, duke folur për kufizimet e masave ndëshkuese pa ndryshime më të gjera.
Sijarina foli edhe për kërcënimet ndaj aktivistëve gjatë kësaj periudhe. Ajo tha se janë evidentuar dhe raportuar në polici raste të kanosjeve në internet dhe në hapësira fizike, por theksoi se ato nuk do ta ndalin angazhimin e tyre.
“Ne as nuk tutemi, as nuk zmbrapsemi”, deklaroi ajo, transmeton Telegrafi.
Në përfundim, Sijarina tha se aktivistët do të vazhdojnë ta ndjekin rastin e Arlinda Zekajt dhe të kërkojnë përmbushjen e kërkesave për mbrojtjen e grave.
“Ne kemi shtet, andaj duam që ky shtet të jetë funksional dhe të punojë edhe për gratë, edhe për vajzat të cilat kërkojnë ndihmë prej tij”, përfundoi Sijarina. /Telegrafi/.