
Një vajzë 13-vjeçare e dërguar në QKUK pas një rasti që po hetohet si dhunim, një 11-vjeçare në gjendje të rëndë pas rënies nga furgoni, dy raste të dyshuara të vrasjes në tentativë dhe një person i zhdukur prej dhjetë ditësh. Këto janë disa nga ngjarjet që kanë vënë në lëvizje Policinë në disa qytete të Kosovës, gjatë së mërkurës.
Krahas tyre, hetuesit kanë arrestuar persona të kërkuar për vepra të rënda, kanë zbuluar raste të dyshuara të keqpërdorimit të fondeve, krimeve kibernetike dhe narkotikëve, si dhe kanë trajtuar disa raste të dhunës në familje.
Prishtinë – Dorëzohet pas më shumë se katër vjetësh në kërkim për aferën 180 mijë euro në Telekom
Rinor Konjusha (32), pronar i kompanisë “Smart Marketing”, është paraqitur në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, pas më shumë se katër vjetësh në kërkim për rastin e kontratës 180 mijë euro në Telekomin e Kosovës. Ai është intervistuar në prani të avokatit dhe, me vendim të Prokurorisë, është ndaluar për 48 orë. Rasti lidhet me dyshimet për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim gjatë viteve 2018–2019.
Ferizaj – Mërgimtari kthehet nga Suedia dhe e gjen shtëpinë e plaçkitur, i vidhen katër armë
Një 48-vjeçar ka denoncuar vjedhjen e katër armëve nga shtëpia e tij në rrugën “Hamit Tmava”. Hajnat dyshohet se kanë marrë tri armë gjahu dhe një pistoletë Beretta 9 mm, për të cilat pronari deklaron se posedon leje të vlefshme. Vlera e armëve arrin rreth 8 mijë euro, ndërsa dëmi nga thyerja e derës vlerësohet në 2 mijë euro. Të dyshuarit ende nuk janë identifikuar.
Gjilan – Përleshje e përgjakshme mes nëntë të miturve, njëri dërgohet në QKUK
Një përleshje mes dy grupeve të miturish në rrugën “Zija Shemsiu” ka përfunduar me dy të lënduar. Gjatë rrahjes dyshohet se janë përdorur mjete të mprehta, ndërsa njëri nga të miturit, me inicialet L.U., është transferuar në QKUK në gjendje të rëndë, por stabile. Dy të dyshuar janë arrestuar dhe ndaluar për 24 orë, tre të tjerë janë identifikuar, por ende nuk janë lokalizuar. Rasti po hetohet për “Vrasje në tentativë” dhe “Pjesëmarrje në rrahje”.
Prishtinë – Arrestohet 23-vjeçari që dyshohet se blinte online me kartelat bankare të të huajve
Burak Yilmaz (23) është arrestuar nën dyshimin për hyrje të paautorizuar në sisteme kompjuterike dhe keqpërdorim të të dhënave të kartelave bankare të shtetasve të huaj. Gjatë kontrollit në një lokacion në rajonin e Prishtinës janë sekuestruar dy kompjuterë, dy telefona, dy pajisje USB dhe dokumente. Me vendim të Prokurorisë, ai është ndaluar për 48 orë.
Mitrovicë – Dy ish-drejtues të kompanisë së kërpudhave ndalohen për dyshime për keqpërdorim të 62 mijë eurove
Hasan Lahu (49), ish-drejtor, dhe Taulant Murati (33), menaxher i kompanisë “Hirano Mushroom”, janë ndaluar për 48 orë. Ata dyshohen se gjatë viteve 2022–2023 kanë keqpërdorur 62,902 euro nga dy grante, në vlerë të përgjithshme prej 575,736 eurosh, të financuara nga Banka Botërore dhe Bashkimi Evropian. Hetimi nisi pas kallëzimit penal të paraqitur nga vetë përfaqësuesit e kompanisë.
Obiliq – Plaçkitet objekti i RTK-së, zhduken pajisje në vlerë 30 mijë euro
Nga objekti i transmetuesit të radios së RTK-së në fshatin Bakshi dyshohet se janë vjedhur një gjenerator, një kontejner dhe pajisje të tjera, në vlerë rreth 30 mijë euro. Objekti, i cili është nën mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, nuk kishte as sigurim fizik dhe as kamera të sigurisë. Policia ka nisur hetimet për “Vjedhje të rëndë”.
Obiliq – I kërkuar për vrasje të rëndë në tentativë, arrestohet 37-vjeçari në shtëpinë e tij
Megzon Sefedini (37), ndaj të cilit Gjykata Themelore në Prishtinë kishte lëshuar dy urdhërarreste për “Vrasje të rëndë në tentativë” dhe “Lëndim të lehtë trupor”, është arrestuar në shtëpinë e tij në Mazgit. Gjatë arrestimit, ai dyshohet se ka bërë rezistencë aktive ndaj policëve. Me urdhër të gjykatës, është dërguar në mbajtje për ekzekutimin e urdhërarrestit.
Prishtinë – Sherri për kartelën bankare të djalit me autizëm, 69-vjeçari e nxjerr gruan nga banesa
Një 51-vjeçare ka denoncuar bashkëshortin e saj, N.H. (69), duke deklaruar se ai e kishte larguar nga banesa pas një mosmarrëveshjeje për kartelën bankare të djalit të tyre me autizëm. Pas ndërhyrjes së Policisë dhe konsultimit me Prokurorinë, 69-vjeçari është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për dhunë në familje.
Prizren – Zbulohen mbetje mortore në varrezat e martirëve, dyshohet se i përkasin një të zhdukuri gjatë luftës
Gjatë gërmimeve të zhvilluara më 10 dhe 11 nëntor në varrezat e martirëve në Lubizhdë të Hasit janë zbuluar mbetje eshtërore njerëzore, të cilat dyshohet se i përkasin të paktën një individi. Mbetjet janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminime, autopsi dhe analiza të ADN-së. Identiteti i personit ende nuk është konfirmuar.
Kaçanik – 13-vjeçarja dërgohet në QKUK pas rastit që po hetohet si dhunim, arrestohet 16-vjeçari
Një vajzë 13-vjeçare është dërguar në QKUK në gjendje jo të mirë shëndetësore, pas një rasti që po hetohet si dhunim. Policia ka arrestuar një 16-vjeçar, i cili gjatë intervistimit në prani të nënës dhe avokatit ka deklaruar se ishte njohur me të miturën përmes rrjeteve sociale disa muaj më parë dhe se ditën e ngjarjes kishin pasur marrëdhënie seksuale. Për shkak të gjendjes shëndetësore, vajza ende nuk është intervistuar. I dyshuari është ndaluar për 24 orë.
Graçanicë – E kërcënonte se do t’ia digjte banesën, arrestohet ish-bashkëshorti i 23-vjeçares
Një 23-vjeçare ka denoncuar ish-bashkëshortin e saj, 29-vjeçarin Ž.I., për kërcënime dhe shqetësime të vazhdueshme, pavarësisht urdhrit mbrojtës të lëshuar nga gjykata. Sipas denoncimit, ai dyshohet se e kishte kërcënuar se do t’ia digjte banesën dhe disa herë ishte paraqitur te dera e saj. I dyshuari është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë.
Viti – E goditi me traktor një 22-vjeçar, 52-vjeçari ndalohet për 48 orë
Osman Fetahu (52) është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin se kishte goditur qëllimisht me traktor një 22-vjeçar në rrugën që lidh Debelldehun me Kopilaqin. I riu kishte pësuar lëndime në fytyrë dhe ishte dërguar për trajtim mjekësor në Gjilan, ndërsa më pas është liruar nga spitali. Rasti po hetohet për “Vrasje në tentativë”.
Prishtinë – Videoja e të shtënave zbulon dy të rinj, Policia sekuestron pistoletë me gaz
Blend Tahiri (22) dhe Erblin Bekteshi (26) janë identifikuar nga hetuesit pas pranimit të një video-incizimi ku shihej një person duke shtënë me armë në rrugën “Kaje Selmani”. Policia ka sekuestruar një pistoletë me gaz të kalibrit 9 mm. Të dy janë intervistuar nën dyshimin për armëmbajtje pa leje dhe përdorim të armës, por janë liruar për t’u hetuar në procedurë të rregullt.
Kamenicë – Sistemi elektronik zbulon shkeljet e urdhrit mbrojtës, 46-vjeçari ndalohet
Atnan Ajvazi (46) dyshohet se ka shkelur vazhdimisht urdhrin mbrojtës të lëshuar ndaj tij më 26 qershor. Shkeljet janë evidentuar nga sistemi i monitorimit elektronik, ndërsa pas njoftimit të Policisë, Prokuroria ka urdhëruar inicimin e rastit për “Mospërfilljen e Gjykatës” dhe ndalimin e tij për 48 orë.
Gjakovë – 20-vjeçari kapet me 24 qese marihuanë, dyshohet se i kishte përgatitur për shitje
Elvir Llukaci (20) është arrestuar pas një bastisjeje në shtëpinë e tij në rrugën “Çamëria”. Hetuesit e antidrogës kanë gjetur 24 qese me rreth 31 gramë substancë të dyshuar marihuanë, një peshore digjitale, pajisje për grimcimin e drogës dhe pesë euro para të gatshme. I riu është ndaluar për 48 orë, ndërsa rasti po hetohet për shitje dhe shpërndarje të paautorizuar të narkotikëve.
Istog – 43-vjeçari zhduket prej dhjetë ditësh, zjarrfikësit hapin shtëpinë ku jetonte i vetëm
Miftar Shalaj (43), nga fshati Cërcë, është raportuar i zhdukur pasi një i afërm ka deklaruar se prej rreth dhjetë ditësh nuk e kishte parë të hynte apo të dilte nga shtëpia. Me autorizim të Prokurorisë, zjarrfikësit kanë hapur derën e banesës, por brenda nuk është gjetur askush. Vendndodhja e 43-vjeçarit mbetet e panjohur, ndërsa Policia ka iniciuar rastin “Person i zhdukur”.
Podujevë – E goditi me veturë 20-vjeçarin në udhëkryq, shoferi ndalohet për vrasje në tentativë
Një incident që fillimisht u raportua si aksident trafiku në udhëkryqin e rrugëve “Ilir Kunushefci” dhe “Nuhi Gashi” është duke u hetuar si vrasje në tentativë. A.M. (20) është goditur nga një veturë që drejtohej nga Edip Haliti (25) dhe është dërguar për trajtim në QKUK. Haliti ka mohuar se kishte pasur qëllim ta godiste të riun, por me vendim të Prokurorisë është ndaluar për 48 orë.
Suharekë – 11-vjeçarja bie nga pjesa e pasme e furgonit, gjendja e saj rrezikon jetën
Një vajzë 11-vjeçare ka pësuar lëndime të rënda pasi ka rënë në asfalt nga pjesa e pasme e një furgoni në fshatin Reqan. Ajo po udhëtonte në hapësirën e destinuar për transportin e mallrave, ndërsa pas incidentit është dërguar në QKUK në gjendje të rëndë dhe me rrezik për jetën. Drejtuesi i automjetit, M.K. (56), është ndaluar me vendim të Prokurorisë. Rasti po hetohet si “Rrezikim i trafikut publik”.
Gjakovë – E lëndon bashkëshorten pas debatit për para, 60-vjeçari ndalohet për 48 orë
Një 59-vjeçare ka pësuar hematomë në krahun e majtë pas një mosmarrëveshjeje me bashkëshortin, L.P. (60), të cilit i kishte kërkuar para për të blerë ushqime. Ai dyshohet se e kishte kapur me forcë për krahu gjatë debatit. Gruaja ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa 60-vjeçari, i cili ka mohuar pretendimet për dhunë, është ndaluar për 48 orë.
Prishtinë – Nëna denoncon ish-bashkëshortin për presion psikologjik ndaj dy fëmijëve
Një 38-vjeçare ka denoncuar ish-bashkëshortin, K.H., duke pretenduar se ai po ushtron presion psikologjik ndaj dy fëmijëve të tyre të mitur. Gruaja ka dorëzuar në Polici edhe një raport të psikologut për vajzën. Ajo pritet të intervistohet si dëshmitare, ndërsa djali do të dëgjohet nga përfaqësuesit e Qendrës për Punë Sociale. Prokuroria ka udhëzuar inicimin e rastit për “Dhuna në familje”.
SINJALI 24 – Kur ti flije, ne e përcollëm Kosovën.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali