
Një natë e mbushur me incidente dhe ngjarje kriminale është regjistruar në disa qytete të Kosovës.
Nga të shtënat me armë në një restorant në Klinë, sulmi i dyshuar me shishe me lëndë djegëse ndaj një autosalloni në magjistralen Prishtinë–Ferizaj dhe armët e narkotikët e zbuluar në kontrolle policore, deri te rastet e rënda të dhunës në familje, kërcënimet dhe ngacmimet, Policia ka ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore.
Në mesin e rasteve që kanë kërkuar ndërhyrjen e autoriteteve janë edhe tentativa e dyshuar për ryshfet në kufi, nxjerrja e thikës nga një nxënës ndaj drejtorit të shkollës në Gjakovë, si dhe arrestimet e personave të kërkuar me urdhërarrest.
Disa të dyshuar janë ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjeve po vazhdojnë.
Prishtinë – Me 1.83 promilë alkool, përplaset me taksinë BYD, arrestohet shoferi i Tiguanit
Një aksident mes një Volkswagen Tiguan dhe një taksie BYD në rrugën “Ukshin Hoti” ka përfunduar me arrestimin e shoferit të Tiguanit, Elion Rrukolli, rreth 32-vjeçar.
Alkooltesti ka treguar se ai kishte 1.83 promilë alkool në gjak.
Me urdhër të Prokurorisë, ndaj tij është iniciuar rasti për ngasje në gjendje të dehur dhe është dërguar në mbajtje.
Fatmirësisht, nuk raportohet për të lënduar.
Prishtinë – Dy persona me motoçikletë dyshohen se i vunë zjarrin autosallonit “Lip Auto”
Autosalloni “Lip Auto”, në afërsi të Prishtina Mall, është bërë cak i një sulmi të dyshuar me shishe me lëndë djegëse. Dy persona që lëviznin me motoçikletë dyshohet se e hodhën shishen mes veturave të ekspozuara, duke shkaktuar zjarr.
Sigurimi arriti ta shuante atë para ardhjes së zjarrfikësve.
Nuk pati persona të lënduar, ndërsa të dyshuarit ende nuk janë identifikuar. Rasti po hetohet si zjarrvënie.
Prishtinë – I gjejnë thikë dhe marihuanë në veturë, del se kërkohej me urdhërarrest
Liridon Berisha, rreth 36-vjeçar, është ndaluar nga Njësia e Reagimit të Shpejtë në rrugën “Arbnor dhe Astrit Dehari”.
Gjatë kontrollit, në veturën e tij është gjetur një thikë dhe 5.44 gramë marihuanë.
Verifikimi ka zbuluar se ndaj tij kishte edhe urdhërarrest aktiv. Për posedim të narkotikëve është liruar në procedurë të rregullt, por është dërguar në institucion korrektues në bazë të urdhëresës gjyqësore.
Prishtinë – Policia e kap pronarin e autosallonit që kërkohej me urdhërarrest
Flamur Sahiti, rreth 36-vjeçar, është arrestuar në autosallonin e tij në rrugën “Fadil Hoxha”, pasi ishte në kërkim nga drejtësia.
Njësia e Urdhëresave e ka lokalizuar dhe arrestuar, ndërsa ai është dërguar në institucion korrektues për vuajtjen e dënimit prej 45 ditësh burgim.
Prishtinë – 21-vjeçarja denoncon ish-partnerin për ngacmime që zgjatën tri vjet
Një 21-vjeçare nga Llapashtica e Poshtme e Podujevës ka denoncuar ish-partnerin, duke pretenduar se ai e kishte ngacmuar për rreth tri vjet pasi ajo kishte vendosur t’i jepte fund lidhjes, kur kishte kuptuar se ai ishte i martuar.
I dyshuari, rreth 35-vjeçar, është intervistuar nga hetuesit dhe, me vendim të Prokurorisë, është ndaluar për 48 orë.
Gjakovë – Nxënësi nxjerr thikën dhe tenton ta sulmojë drejtorin e shkollës, ndalohet i mituri
Një incident i rëndë është raportuar në shkollën “Hysni Zajmi”, ku një nxënës i mitur dyshohet se kishte dalë në oborr me një shufër hekuri dhe më pas kishte nxjerrë thikën, duke tentuar ta sulmonte drejtorin.
I mituri është arrestuar, ndërsa Policia ka sekuestruar thikën.
Me urdhër të Prokurorit është ndaluar për 24 orë, nën dyshimin për armëmbajtje pa autorizim dhe kanosje.
Gjakovë – E ndoqi gruan që ishte larguar nga dhuna, sulmon me thikë axhën e saj
Një 38-vjeçar dyshohet se e ka ndjekur bashkëshorten deri në shtëpinë e axhës së saj në Lipovec, ku ajo ishte strehuar pasi kishte raportuar dhunë të vazhdueshme.
Kur familjari doli në oborr, i dyshuari dyshohet se e sulmoi me thikë, duke e lënduar në fytyrë dhe gisht. Atij iu gjetën edhe dy thika të tjera.
Si familjari, ashtu edhe i dyshuari morën trajtim mjekësor, ndërsa ky i fundit u ndalua për 48 orë për dhunë në familje dhe lëndim të lehtë trupor.
Gjakovë – Shtetasi amerikan dyshohet se shtiu me armë brenda restorantit “Grandis ABI”
Një video-incizim i pranuar nga Policia ka zbuluar të shtëna me armë zjarri gjatë një ahengu familjar në restorantin “Grandis ABI” në Klinë. Hetuesit kanë identifikuar si të dyshuar Zjef Markun, rreth 53-vjeçar, shtetas amerikan që jeton në SHBA.
Pronari i restorantit është intervistuar, ndërsa i dyshuari ende nuk është siguruar për intervistim.
Rasti po hetohet për armëmbajtje pa autorizim dhe përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm.
Gjakovë – 25-vjeçari tenton të hyjë në Kosovë me 20 euro në pasaportë, ndalohet për 48 orë
Fljoren Krasnic, shtetas i Serbisë, dyshohet se tentoi ta korruptonte policin kufitar në Qafë Prush, duke vendosur një kartëmonedhë prej 20 eurosh në pasaportë.
Atij paraprakisht i ishte refuzuar hyrja në Kosovë në Vërmicë, por kishte provuar sërish përmes pikës tjetër kufitare.
Me urdhër të Prokurorit, ndaj tij është iniciuar rasti për dhënie të mitos dhe është ndaluar për 48 orë.
Gjakovë – U kap me pistoletë dhe shtatë fishekë në BMW, 32-vjeçari ndalohet për 48 orë
Shefki Sopi, rreth 32-vjeçar, është ndaluar në pikën e kontrollit policor “Te Rrethi”, në Milloshevë të Obiliqit.
Gjatë kontrollit të BMW-së që drejtonte, ai ka dorëzuar një pistoletë të tipit “Crvena Zastava”, një karikator dhe shtatë fishekë.
Arma është sekuestruar, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë për armëmbajtje pa autorizim.
Gjakovë – Jelekë antiplumb, pajisje për armë dhe marihuanë në Audi, ndalohet pasagjeri
Një kontroll i detajuar në pikën kufitare të Vërmicës ka zbuluar dy jelekë antiplumb, dy mbajtëse për karikatorë, një këllëf pistolete dhe 5.19 gramë marihuanë.
Sendet dhe substanca dyshohet se i përkisnin pasagjerit Valon Paçarada, rreth 39-vjeçar, nga Mitrovica.
Ai është intervistuar nga hetuesit e antidrogës në Prizren dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa sendet janë sekuestruar.
Gjakovë – Arrestohet 44-vjeçari i dënuar me një vit burg për mashtrim në prokurim publik
Albian Shehu, rreth 44-vjeçar, është arrestuar në Junik në bazë të një urdhërese të Gjykatës Themelore në Pejë.
Ai ishte dënuar me një vit burgim për veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.
Pas arrestimit, është dërguar në institucionin korrektues për vuajtjen e dënimit.
Zveçan – Hajnat thyejnë kontejnerin dhe vjedhin katër sharra motorike e 30 zinxhirë
Në fshatin Joshevik të Zveçanit, persona të panjohur dyshohet se kanë depërtuar me forcë në një kontejner dhe kanë vjedhur katër sharra motorike, 30 palë zinxhirë dhe një pajisje me bateri.
Dëmi i raportuar nga pronari Marko Petroviq arrin në rreth 2.600 euro.
Rasti po hetohet si vjedhje e rëndë.
Obiliq – Nuk e pagoi gjobën prej 500 eurosh për dëmtim të varreve, përfundon në burg
Erol Zorjani është arrestuar në Obiliq, pasi nuk e kishte paguar gjobën prej 500 eurosh të shqiptuar për veprën penale “Dëmtimi i varreve apo kufomave”.
Për shkak të mospagesës, gjoba i ishte zëvendësuar me 25 ditë burgim.
Pas arrestimit në bazë të urdhëresës gjyqësore, ai është dërguar në institucion korrektues.
Graçanicë – “Kam me të vra”, gruaja denoncon bashkëshortin, fqinja dëshmon për kërcënimin
Një 44-vjeçare nga fshati Uglar ka denoncuar bashkëshortin, pasi ky i fundit dyshohet se e kishte kërcënuar me fjalët “Kam me të vra”.
Një fqinje që kishte qenë dëshmitare e ngjarjes ka konfirmuar pretendimet e saj para hetuesve.
Me vendim të Prokurorisë, 41-vjeçari është ndaluar për 48 orë për dhunë në familje.
Graçanicë – 67-vjeçari kërkon ndihmë nga mjekët, thotë se ka frikë nga gruaja
Një 67-vjeçar ka kërkuar ndihmë nga personeli i Emergjencës në Llapnasellë, duke deklaruar se kishte frikë nga bashkëshortja e tij 71-vjeçare.
Kur Policia shkoi në vendngjarje, pranë gruas u gjet një thikë, ndërsa ajo fillimisht refuzoi bashkëpunimin me zyrtarët. Pas ndërhyrjes së hetuesve, të dy bashkëshortët u shoqëruan në stacion.
Ndaj gruas u iniciua rast për dhunë në familje, por ajo u lirua në procedurë të rregullt.
Skenderaj – Babai dyshohet se ushtroi dhunë ndaj tri vajzave që refuzuan të shkonin në Gjermani
Tri motra nga fshati Vitak kanë denoncuar babanë e tyre për dhunë fizike dhe psikike, duke pretenduar se konflikti nisi pasi ai kërkonte t’i dërgonte në Gjermani për t’u kujdesur për vajzën e vëllait të tij.
Tri vajzat, njëra e mitur, janë intervistuar në prani të përfaqësuesve të Qendrës për Punë Sociale dhe psikologut, si dhe kanë marrë trajtim mjekësor.
Me kërkesën e tyre janë vendosur në strehimore, ndërsa babai është liruar në procedurë të rregullt.
Viti – 19-vjeçari që kërkohej prej dy ditësh paraqitet vetë në Polici
Adnis Azemi nga fshati Beguncë, i raportuar i zhdukur nga motra e tij, është paraqitur vetë në Stacionin Policor në Viti.
Ai ka deklaruar se gjatë kohës që familjarët nuk kishin informacione për vendndodhjen e tij, kishte qëndruar te një shok në Ferizaj.
Pas paraqitjes së tij, Policia ka njoftuar Prokurorinë, ndërsa rasti do të procedohet me raport të veçantë.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali