
Një incident i pazakontë ka ndodhur gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë të emisionit të njohur të vallëzimit në BBC, “Strictly Come Dancing”, ku programi u ndërpre nga zhurma seksuale, çka detyroi edhe ndërhyrjen e policisë.
Ngjarja ka ndodhur gjatë Javës së Blackpoolit, në edicionin special që mbahet në Tower Ballroom. Momenti i sikletshëm u regjistrua teksa anëtarët e jurisë po jepnin vlerësimet e tyre për dyshen Delta Goodrem dhe Kai Widdrington, i cili sapo ishte rikthyer pas një mungese njëjavore për shkak të sëmundjes.
Teksa po fliste, anëtarja e jurisë Motsi Mabuse u shpërqendrua nga zhurmat që dëgjoheshin prapa saj dhe bëri një pauzë të shkurtër, duke reaguar me fjalët: “Nuk jam unë”.
Pas kësaj situate, prezantuesja Emma Willis u kërkoi falje publike teleshikuesve. “Para se të shohim tabelën e renditjes së jurisë, dëshirojmë të kërkojmë falje nëse keni dëgjuar ndonjë ndërprerje të audios më herët gjatë emisionit të sonte dhe për çdo shqetësim të shkaktuar”, deklaroi ajo. Edhe një zëdhënës i BBC-së konfirmoi nisjen e hetimeve, duke u kërkuar ndjesë shikuesve që mund të jenë ndier të fyer.
Përgjegjësinë për këtë veprim e ka marrë “prankster”-i i njohur në YouTube, Daniel Jarvis. Sipas raportimeve të “The Telegraph”, ai dyshohet se kishte futur fshehurazi në studio një telefon të posaçëm dhe kishte filmuar veten drejtpërdrejt teksa ndiqte emisionin dhe telefononte pajisjen, duke aktivizuar kështu zilen me përmbajtje pornografike.
Jarvis është i njohur edhe më herët për veprime të tilla, pasi në vitin 2023 kishte pretenduar se qëndronte prapa një incidenti të ngjashëm gjatë transmetimit të emisionit sportiv “Match of the Day”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali