Skandali me uniforma e kapela në polici, probleme edhe jelekë anti-plumb- IPK tregon për numrin e tyre që i gjeti me afat të skaduar

Skandali me uniforma e kapela në polici, probleme edhe jelekë anti-plumb- IPK tregon për numrin e tyre që i gjeti me afat të skaduar

Written by

in

Skandali me uniforma e kapela në polici, probleme edhe jelekë anti-plumb- IPK tregon për numrin e tyre që i gjeti me afat të skaduar

Mungesa e uniformave dhe pajisjeve policore është vënë në pah kohëve të fundit, pasi Policia e Kosovës nuk kishte siguruar veshmbathjen e nevojshme as për gjeneratën e re të kadetëve, të cilët pritet të diplomojnë më 6 nëntor. Inspektorati Policor i Kosovës ka bërë të ditur se sfidë për policinë janë edhe jelekët anti plumb, ku gjatë inspektimeve të tyre kanë identifikuar të tillë me afat të skaduar.

Gazeta Insajderi

Situata kishte nxitur reagime pasi u raportua se, në mungesë të kapelave për kadetët, zyrtarëve policorë u ishte kërkuar që t’i dorëzonin kapelat e tyre për t’u përdorur gjatë ceremonisë. Kjo u bë një tjetër dëshmi e problemeve me furnizimin e Policisë së Kosovës me uniforma.

Por, shqetësimet për pajisjet e policëve nuk janë të reja. Përgjigjja që Inspektorati Policor i Kosovës i ka dhënë Insajderit tregon se këto probleme janë evidentuar vazhdimisht gjatë pesë viteve të fundit, madje jo vetëm për uniformat, por edhe për pajisjet që lidhen drejtpërdrejt me sigurinë e zyrtarëve policorë.

IPK-ja ka bërë të ditur se në 14 inspektime të realizuara gjatë kësaj periudhe janë evidentuar shqetësime për këto pajisje.

“IPK në kuadër të autorizimeve ligjore, në vazhdimësi përmes inspektimeve të rregullta dhe të jashtëzakonshme gjatë  pesë (5) viteve të fundit ka trajtuar sfidat lidhur me furnzimin me uniform zyrtare dhe pajisijeve tjera për nevoja operative policore përfshirë  jelekë mbrojtës (antiplumb), helmeta, etj,. Sipas të dhënave zyrtare të IPK-së në 14 inspektime të realizuara janë ngritur shqetësime dhe janë rekomanduar ndërmarrje e veprimeve në përmirësimin e gjendjes me artikujt e përmendur“, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e tyre për Gazetën Insajderi.

IPK i ka thënë Insajderit se gjatë pesë vjetëve të fundit, në së paku dhjetë inspektime ka ngritur shqetësime për furnizimin me jelekë anti-plumb, skadimin e afateve të përdorimit dhe nevojën për zëvendësimin e tyre.

Problemi me këto pajisje nuk është i ri. Në vitin 2017 ishte nënshkruar kontrata e fundit për furnizim me jelekë antiplumb, ndërsa përpjekjet për të siguruar të rinj u përcollën me ankesa, pezullime dhe anulime të tenderëve.

Në qershor të vitit 2021, Policia e Kosovës hapi një tender në vlerë prej 3 milionë e 799 mijë e 800 eurosh për blerjen e 3 mijë e 250 jelekëve antiplumb. Parashihej të bliheshin 600 jelekë të brendshëm, 2 mijë e 300 të jashtëm dhe 350 jelekë taktikë për Njësinë Speciale.

Por, procedura nuk shkoi sipas planit. Kompanitë pjesëmarrëse parashtruan ankesa, ndërsa Organi Shqyrtues i Prokurimit mbeti për një kohë të gjatë pa bord funksional, duke pamundësuar trajtimin me kohë të ankesave.

Në dhjetor të vitit 2021, Policia fillimisht rekomandoi për kontratë kompaninë Sodex Group, me ofertë prej 2 milionë e 758 mijë e 950 eurosh. Megjithatë, pas ankesave të operatorëve ekonomikë, tenderi u pezullua sërish në fillim të janarit 2022.

As rikthimi i lëndës në shqyrtim nuk e zgjidhi problemin. Organi Shqyrtues i Prokurimit në disa raste i aprovoi ankesat e kompanive dhe e ktheu aktivitetin e prokurimit në rivlerësim.

Në gusht të vitit 2023, pas më shumë se dy vjetësh zvarritje, Policia e Kosovës u detyrua ta anulonte në tërësi tenderin. Sipas vendimit të OSHP-së, oferta e operatorëve të rekomanduar nuk i plotësonte kërkesat e dosjes së tenderit dhe nuk kishte oferta të përgjegjshme për t’u shpërblyer me kontratë.

Kështu, pas miliona eurove të planifikuara dhe një procesi të përcjellë me ankesa e rivlerësime, Policia mbeti pa kontratën e re për furnizimin me jelekë antiplumb.

IPK-ja thotë se në kuadër të 14 inspektimeve të realizuara për uniformat dhe pajisjet policore janë dhënë së paku 14 rekomandime për drejtuesit dhe autoritetet përkatëse të Policisë së Kosovës, me qëllim të përmirësimit të gjendjes.

Sa i përket veshmbathjes, IPK shton për Insajdeirn se në së paku dhjetë inspektime është ngritur nevoja për furnizim të rregullt me to.

Ndërsa për helmetat mbrojtëse, IPK-ja thotë se shqetësimi për furnizim është evidentuar në së paku një inspektim.

Gazeta Insajderi iu është drejtuar me pyetje edhe Policisë së Kosovës për këto çështje, mirëpo deri në momentin e publikimit të artikullit s’ka marrë ndonjë përgjigje. /Insajderi.org/

Burimi: Insajderi