SPAK zgjeron hetimet, dyshohet se Vlora Hyseni i transferoi 450 mijë euro vëllait në Gjermani

SPAK zgjeron hetimet, dyshohet se Vlora Hyseni i transferoi 450 mijë euro vëllait në Gjermani

Written by

in

SPAK zgjeron hetimet, dyshohet se Vlora Hyseni i transferoi 450 mijë euro vëllait në Gjermani

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka zgjeruar hetimet për ish-kreun e Shërbimit Informativ Kombëtar, Vlora Hyseni, pas zbulimit të një transferte qindra-mijëra euro në drejtim të Gjermanisë. Hetuesit kanë dërguar letërporosi në Kosovë dhe në Gjermani.

Sa i përket Gjermanisë, SPAK dyshon se vëllai i Vlora Hysenit, i cili dyshohet se përdor një identitet tjetër, ka kryer disa transferta të dyshimta, të cilat aktualisht po vlerësohen nga hetuesit.

Më konkretisht, prokurorët dhe agjentët e BKH-së kanë zbuluar një transfertë prej 450 mijë eurosh nga shoqëria “Fortis Beton” sh.p.k., e cila është anuluar më 27.02.2024. Transferta kishte si destinacion shoqërinë gjermane “Erd & Tiefbau Dingler GmbH” dhe ishte kryer me përshkrimin “pagesë për kontratë huaje”, datë 26.02.2024, raporton Ora News.

Nga hetimet ka rezultuar se përfaqësuesi i shoqërisë gjermane është Izet Dingler, vëllai i Vlora Hysenit.

Për këto transferta dhe marrëdhëniet e shoqërisë “Fortis Beton” sh.p.k., e përfshirë në dosjen e AKSHI-t, me shoqëritë gjermane, janë pyetur Ardit Sota dhe Genci Shima. Të dy kanë deklaruar se nuk kanë dijeni për punimet dhe se nuk i njohin përfaqësuesit e shoqërive gjermane.

Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme parashtron se krijohen dyshime të arsyeshme se Ergys Agasi ka përdorur fondet e AKSHI-t për të korruptuar Vlora Hysenin.

Sipas SPAK, anulimi i transfertës prej 450 mijë eurosh, më 27.02.2024, nuk e përjashton dyshimin për premtimin dhe pranimin e përfitimit të parregullt nga ish-drejtoresha e SHISH-it, në këmbim të dhënies së informacioneve sekrete të institucionit ndaj Agasit.

Prokuroria e Posaçme parashtron se kjo skemë dyshohet se është përdorur nga personat nën hetim për të fshehur origjinën dhe natyrën kriminale të produkteve të veprës penale të korrupsionit, si dhe të përfitimeve të paligjshme nga prokurimet publike të AKSHI-t.

Burimi: Insajderi