
Spanja ka shpallur tri ditë zie kombëtare pas një aksidenti të rëndë hekurudhor, ku humbën jetën të paktën 68 persona dhe dhjetëra të tjerë u plagosën.
Aksidenti ndodhi të mërkurën, kur një tren që udhëtonte nga Madridi drejt Seviljes u përplas me një tren të ndaluar në shina. Përplasja shkaktoi daljen e disa vagonëve nga shinat dhe rënien e tyre në një pjerrësi.
Ekipet e emergjencës punuan gjatë gjithë natës për nxjerrjen e viktimave nga vagonët e dëmtuar. Autoritetet po punojnë për identifikimin e të vdekurve dhe gjetjen e personave të zhdukur.
Ministri i Transportit, Oscar Puente, bëri të ditur se treni i kompanisë private Iryo ishte ndalur për shkak të një defekti kompjuterik. Ndërkohë, autoritetet po hetojnë vendimin për lejimin e lëvizjes së trenave, pavarësisht problemit teknik.
Kryeministri Pedro Sanchez shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave, duke deklaruar se “e gjithë Spanja është në zi”. Ai e cilësoi të papranueshme që vendi të përballet me dy aksidente të rënda hekurudhore brenda të njëjtit vit.
Tragjedia ka nxitur reagime politike dhe protesta në Madrid, ku demonstruesit kërkuan dorëheqjen e kryeministrit dhe ministrit të Transportit. Ndërkohë, drejtuesit e trenave pritet të vazhdojnë grevën e paralajmëruar në shenjë proteste për sigurinë hekurudhore.
Autoritetet kanë ngritur zyra në disa qytete për të trajtuar raportimet për persona të zhdukur dhe për të mbledhur mostra ADN-je, me qëllim identifikimin e viktimave.