Spitali i Vushtrrisë dënon sulmin ndaj mjekut kujdestar në Emergjencë

Spitali i Vushtrrisë dënon sulmin ndaj mjekut kujdestar në Emergjencë

Written by

in

Spitali i Përgjithshëm në Vushtrri ka dënuar sulmin fizik dhe kanosjen ndaj mjekut kujdestar në Shërbimin e Emergjencës, Dr. Rabit Dërmaku, që sipas drejtorisë së spitalit ka ndodhur më 19 tetor, rreth orës 14:45.

Sipas njoftimit të spitalit, rasti ka ndodhur në hapësirat e Emergjencës, pas sqarimeve të stafit mjekësor lidhur me procedurat e sistemit shëndetësor.

“Përkundër sjelljes profesionale të personelit shëndetësor, personi në fjalë ka filluar me fyerje të rënda dhe më pas ka sulmuar fizikisht mjekun kujdestar në vendin e tij të punës”, thuhet në reagim.

Spitali bën të ditur se ndërhyrja e stafit dhe thirrja e sigurimit kanë parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës. Sipas njoftimit, personi i dyshuar për sulmin dhe personi tjetër që kishte ardhur me të në Emergjencë janë larguar nga objekti në momentin kur është njoftuar Policia e Kosovës.

Menaxhmenti i spitalit ka theksuar se sulmet fizike dhe psikologjike ndaj punonjësve shëndetësorë janë të papranueshme, duke kërkuar mbrojtjen e integritetit fizik dhe dinjitetit profesional të personelit mjekësor.

Rasti, sipas drejtorisë, është denoncuar menjëherë te organet e rendit.

Spitali i Përgjithshëm në Vushtrri u ka bërë thirrje Policisë dhe Prokurorisë që personi përgjegjës të lokalizohet sa më parë dhe të ndërmerren masat ligjore përkatëse. /Telegrafi/