Sulmi ndaj Urës së Krimesë, qëllim i prishjes së imazhit të Putinit para liderëve botërorë?

Sulmi ndaj Urës së Krimesë, qëllim i prishjes së imazhit të Putinit para liderëve botërorë?

Written by

in

Sulmi ndaj Urës së Krimesë, qëllim i prishjes së imazhit të Putinit para liderëve botërorë?

Një urë kyçe që lidh Krimenë e aneksuar me Rusinë është sulmuar sërish, ka deklaruar një guvernator i emëruar nga Rusia, vetëm dy ditë pasi sulmet ukrainase shkaktuan dëme të mëdha në të.

“Pas një sulmi të ri ndaj Urës së Krimesë, qarkullimi është ndërprerë përkohësisht. Të gjitha shërbimet përkatëse ndodhen në vendin e ngjarjes dhe janë duke punuar. Vlerësimi i dëmeve është duke vazhduar”, shkroi Sergei Aksyonov, guvernatori i Krimesë i emëruar nga Kremlini, në Telegram.

Ministria ruse e Transportit bëri të ditur të enjten se nga sulmi nuk ka pasur persona të lënduar, ndërsa qarkullimi i trenave përmes urës është ndërprerë, shkruan The Guardian.

Sulmi i së mërkurës është i treti këtë javë ndaj urës me rëndësi të madhe simbolike, e cila lidh Rusinë me Krimenë, të cilën Moska e aneksoi nga Ukraina në vitin 2014.

Sulmi ndodhi vetëm disa orë para një takimi të paprecedentë mes presidentit rus Vladimir Putin dhe homologëve të tij kinez dhe amerikan, Xi Jinping dhe Donald Trump, në Kinë.

Një burim nga forcat e armatosura të Ukrainës tha se sulmet e kësaj jave kishin për qëllim ta vinin Putinin në pozitë të vështirë para liderëve botërorë.

“Ura është simbol i pushtetit të Putinit. Shkatërrimi i saj u dërgon mesazh dy liderëve të tjerë të fuqishëm se Putini nuk është aq i fortë sa pretendon”, tha burimi.

Për Ukrainën, ura është një simbol i urryer i arrogancës ruse dhe mendësisë koloniale. Kievi e ka shpallur më herët të paligjshme urën e ndërtuar mbi ngushticën e Kerchit, e cila u përfundua tetë vjet më parë.

Ukraina kishte tentuar dy herë ta shkatërronte atë: fillimisht me një kamion bombë në vitin 2022 dhe më pas me një dron detar një vit më vonë pasi që më herët, Ukraina i kishte shkaktuar dëme të rënda pjesës rrugore të urës, në atë që presidenti Volodymyr Zelensky e cilësoi si një operacion ushtarak “të paprecedentë”.

Zelensky e përshkroi sulmin e mëparshëm si kulmin e një fushate të gjatë dhe komplekse për shkatërrimin e urës, ku ishin përdorur dronë të prodhuar në Ukrainë dhe raketa balistike.

Sipas tij, dronët Palianytsia goditën pjesën rrugore të urës, ndërsa raketat Neptune dhe raketa të tjera shënjestruan pjesën hekurudhore pranë saj. /Klankosova.tv