
Të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe 58 të tjerë janë plagosur si pasojë e një sulmi rus me raketa dhe dronë në qytetin ukrainas të Krivij Rihut.
Në mesin e viktimave është një djalë shtatëvjeçar, i cili u vra derisa po luante me shokët në një kënd lojërash pranë një restoranti. Viktima tjetër është një punonjës 20-vjeçar i shërbimit shëndetësor emergjent, i cili humbi jetën gjatë operacionit të shpëtimit.
Sipas autoriteteve ukrainase, forcat ruse fillimisht goditën një lagje banimi në qendër të qytetit me dy raketa balistike. Pas mbërritjes së ekipeve të shpëtimit dhe personelit mjekësor, në zonë pasuan edhe tri sulme të tjera me dronë Shahed me motorë reaktivë.
Në mesin e 58 të plagosurve janë gjashtë fëmijë, si dhe pjesëtarë të ekipeve mjekësore dhe të shpëtimit.
Ndërkohë, 28 persona vazhdojnë të jenë të shtruar në spital, 11 prej të cilëve në gjendje të rëndë. Pesë pacientë po trajtohen në kujdesin intensiv.
Sulmi ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, duke përfshirë rreth 25 ndërtesa banimi, një spital, disa institucione arsimore, një restorant dhe autoambulanca.
Po ashtu, si pasojë e goditjeve, në qytet janë raportuar ndërprerje të furnizimit me energji elektrike, ujë dhe gaz.
Sulmi vjen në një kohë kur Rusia ka vazhduar goditjet ndaj qyteteve ukrainase, ndërsa ekipet e emergjencës janë ekspozuar ndaj rrezikut gjatë përpjekjeve për të shpëtuar të mbijetuarit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali