Një superkompjuter ka parashikuar fituesit e Topit të Artë për dhjetë vitet e ardhshme, duke përfshirë emra të mëdhenj si Lamine Yamal, Jude Bellingham, Erling Haaland dhe Endrick.
Harry Kane e ka fituar Topin e Artë të këtij viti, duke lënë pas Lamine Yamalin dhe Kylian Mbappen, por vëmendja tashmë është kthyer te ajo që mund të ndodhë në edicionet e ardhshme të çmimit prestigjioz.
Sipas parashikimeve të një superkompjuteri, Jude Bellingham pritet të jetë fituesi i Topit të Artë në vitin 2027. Mesfushori anglez vjen pas një paraqitjeje mbresëlënëse në El Clasico, ku Real Madridi e mposhti Barcelonën me rezultat 2-1.
Megjithatë, emri që bie më së shumti në sy në këto parashikime është Lamine Yamal. Talenti i Barcelonës ka nisur në mënyrë fantastike sezonin 2026/27, me tetë gola dhe gjashtë asistime në dhjetë ndeshje në të gjitha garat.
Sipas superkompjuterit, Yamal do ta fitojë Topin e Artë në vitin 2028, ndërsa parashikohet të triumfojë edhe në vitet 2031 dhe 2035. Nëse ky skenar realizohet, ylli spanjoll do të bëhej njëri prej futbollistëve më dominues të gjeneratës së tij.
Në vitin 2029, çmimi parashikohet t’i takojë Michael Olise, i cili mund të marrë rolin e liderit te Bayern Munichu. Një vit më vonë, në vitin 2030, superkompjuteri e sheh Erling Haalandin si fitues të mundshëm të çmimit.
Lista vazhdon me Endrickun, i cili parashikohet ta fitojë Topin e Artë në vitin 2032. Braziliani pritet të përmbushë potencialin e tij te Real Madridi dhe të shndërrohet në një prej yjeve kryesorë të futbollit botëror.
Një tjetër emër befasues është Pau Cubarsi. Mbrojtësi i Barcelonës parashikohet ta fitojë çmimin në vitin 2033, duke u bërë mbrojtësi i parë që nga Fabio Cannavaro në vitin 2006 që shpallet fitues i Topit të Artë.
Në vitin 2034, radha sipas parashikimit do të ishte e Arda Gulerit, i cili po synon të fitojë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm te Real Madridi.
Parashikimet përfundojnë me Estevaon e Chelseat, të cilit superkompjuteri ia atribuon Topin e Artë të vitit 2036.
Në përgjithësi, këto parashikime sugjerojnë se futbollistët e La Ligës dhe Ligës Premier mund të dominojnë garën për çmimin individual më prestigjioz gjatë dekadës së ardhshme./Telegrafi/