Katër punonjës të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë suspenduar pas evidentimit të parregullsive në menaxhimin e barnave dhe materialit shpenzues.
Lajmi është bërë i ditur nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), sipas të cilit vendimi për suspendimin e tyre është marrë nga Komisioni Disiplinor i QKUK-së.
Rasti është diskutuar edhe në mbledhjen e tetë të Bordit Drejtues të SHSKUK-së, të udhëhequr nga kryesuesi Faik Shatri.
Gjatë mbledhjes, drejtori i Përgjithshëm i SHSKUK-së, Elvir Azizi, ka njoftuar anëtarët e Bordit për masat e para disiplinore të ndërmarra pas evidentimit të parregullsive.
“Drejtori i Përgjithshëm i SHSKUK-së, Elvir Azizi, njoftoi se Komisioni Disiplinor i QKUK-së ka marrë vendim për suspendimin e katër punonjësve në lidhje me parregullsitë e evidentuara”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, Bordi Drejtues ka kërkuar nga Drejtoria e Përgjithshme që në çdo mbledhje të raportojë rregullisht për ecurinë e procedurave disiplinore dhe veprimet e ndërmarra.
SHSKUK ka bërë të ditur se do të vazhdojë trajtimin e rasteve në përputhje me procedurat në fuqi, me synimin për të forcuar përgjegjësinë institucionale në menaxhimin e barnave dhe materialit shpenzues.
Burimi: Dukagjini
