
Kosova do të vazhdojë të përballet me mot të ftohtë dimëror edhe gjatë javës së ardhshme, me temperatura që në disa zona pritet të zbresin deri në -13 gradë Celsius.
Sipas parashikimit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), nga 30 nëntori deri më 4 dhjetor moti do të karakterizohet me vranësira të ndryshueshme dhe intervale me diell, ndërsa temperaturat do të mbeten dukshëm të ulëta.
Temperaturat minimale pritet të lëvizin nga -7 deri në -13 gradë Celsius, kurse ato maksimale nga -4 deri në 3 gradë.
Mëngjeset e së martës, së mërkurës dhe së enjtes pritet të jenë veçanërisht të ftohta, me ngrica në të gjitha rajonet e vendit.
IHMK ka paralajmëruar kujdes të shtuar për pjesëmarrësit në trafik, pasi temperaturat negative dhe ngrirja e sipërfaqeve mund të krijojnë akull në rrugë, veçanërisht gjatë natës dhe orëve të hershme të mëngjesit.
Rreziku për ngrica pritet të jetë më i theksuar në zonat malore, në ura dhe në rrugët që qëndrojnë nën hije.
Ndërkohë, në zonat malore dhe kodrinore pritet të ruhet për më gjatë edhe mbulesa e borës, e cila pas ngrirjes mund të krijojë shtresa akulli.
Sipas parashikimit, të premten temperaturat maksimale do të shënojnë një rritje të lehtë dhe lokalisht mund të arrijnë deri në 3 gradë Celsius, por kjo nuk pritet t’i largojë ngricat.
IHMK ka bërë të ditur se në fund të javës së parë të dhjetorit priten sërish reshje bore.
Kujtojmë se reshjet e fundit të borës kanë arritur deri në 35 centimetra në viset e larta malore dhe deri në 22 centimetra në disa zona të ulëta të pjesëve jugore dhe jugperëndimore të vendit. /Insajderi.org/
Burimi: Insajderi