Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës është shoqëruar me përplasje verbale mes kryeministrit Albin Kurti dhe deputetëve të opozitës, Hykmete Bajrami nga LDK-ja dhe Eman Rrahmani nga PDK-ja.
Fillimisht, Kurti u përplas me deputeten e LDK-së, Hykmete Bajrami, gjatë debatit në Kuvend, ku diskutuan për përgjegjësinë e kryeministrit dhe situatën politike në vend.
Kurti iu drejtua Bajramit duke i thënë se ajo nuk është gjyqtare, por deputete, ndërsa theksoi se vlerësimin për punën e tij e bëjnë qytetarët përmes votës.
“Unë jam kryeministër që jam zgjedhur katër herë kryeministër. Ju do të kishit dëshirë të ma bënit gjyqin mua, por ju nuk jeni gjyqtare, por deputete. Gjyqin na bëjnë qytetarët që na kanë bërë më 28 dhjetor e 7 qershor. Lexoni rezultatin zgjedhor në vend që të bëni gjyqtaren në ulësen e deputetes”, deklaroi Kurti.
Në përgjigjen e saj, Bajrami e akuzoi kryeministrin për bllokimin e vendit, duke thënë se ai nuk mund të paraqitet si zgjidhës i situatës, pasi sipas saj, vetë ishte bërë shkaktar i bllokadës.
“Nuk mund të bëhesh zhbllokuesi, por je bërë bllokuesi. E ke të qartë se natën e 6 tetorit e ke zhbllokuar situatën dhe ke zgjedhur presidenten në konferenca për shtyp. Ju jeni përgjegjës që deri në natën e 6 tetorit e keni mbajtur vendin të bllokuar”, tha Bajrami.
Përplasje edhe për Projektligjin për Shëndetin Riprodhues
Një tjetër debat mes kryeministrit Kurti dhe deputetit të PDK-së, Eman Rrahmani, u zhvillua lidhur me Projektligjin për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizimin e Asistuar Mjekësor.
Rrahmani kritikoi Qeverinë për angazhimin që projektligji të miratohet, duke ngritur shqetësime për të drejtën e fëmijëve për të njohur prindërit biologjikë, si dhe për dispozitat që, sipas tij, lidhen me surrogacinë dhe sterilizimin.
Ai tha se projektligji përmban dispozita problematike dhe kërkoi sqarime nga kryeministri lidhur me arsyetimin për miratimin e tij.
Në përgjigje, Kurti tha se Qeveria e tij ka bërë më shumë se qeveritë e mëparshme për mbështetjen e nënave, fëmijëve dhe familjeve.
“Nuk ka asnjë qeveri që mund të thoni se në Kosovën e pasluftës ka bërë më shumë për nënat dhe fëmijët, për familjet. Për herë të parë kjo qeveri ka filluar me mbështetje financiare për nënat lehona, 100 mijë gra kanë hapur xhirollogari për herë të parë në jetën e tyre. Mbështetjen kemi vazhduar ta rrisim. Gratë që punojnë i mbështesim edhe më shumë”, deklaroi Kurti.
Ai i cilësoi si të pabaza akuzat se Qeveria është kundër familjes, duke thënë se kritikat politike duhet të fokusohen në çështje të tjera.
Rrahmani reagoi sërish, duke përsëritur pretendimet e tij lidhur me surrogacinë dhe sterilizimin e personave nga mosha 18-vjeçare.
Kurti i hodhi poshtë këto pretendime dhe e ftoi deputetin që të njihet me rastet konkrete dhe të bisedojë me personat që preken nga kjo çështje.
“Pretendimet kundër nesh për këtë çështje nuk janë të vërteta. Shikoni rastet konkrete dhe bashkëbisedoni me ta, ndoshta ka ardhur koha me i dhënë fund ankesave tuaja në emër të grave të Kosovës”, u shpreh Kurti.
Haxhiu ia ndalon fjalën Rrahmanit
Në këtë debat ndërhyri edhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila kritikoi mënyrën se si deputeti Rrahmani po e trajtonte çështjen e grave dhe vajzave.
Haxhiu e akuzoi atë për manipulim dhe tha se nuk do të lejojë një qasje të tillë në Kuvend, duke ia ndaluar vazhdimin e fjalës.
“Nëse ju i trajtoni gratë edhe vajzat e vendit si pronë, si objekt, nuk lejoj qasje të tillë në Kuvendin e Kosovës. Manipulimi që ti e bën po ashtu në Kuvend është shqetësues. Përmende faktin me sterilizimin e vajzave prej moshës 18-vjeçare. Qysh këtë qasje kështu, zoti Rrahmani? Me këtë qasje nuk mund të vazhdosh. Dhe si rrjedhojë, nuk e merr fjalën”, deklaroi Haxhiu. /Telegrafi/