Partia Socialiste në Shqipëri ka kërkuar përjashtimin e Sali Berishës për 10 ditë nga punimet e Kuvendit.
Shkak për këtë kërkesë në Sekretariatin e Etikës është bërë ajo që socialistët quajnë thirrje për akte dhune gjatë fjalës që kreu i PD mbajti në Kuvend.
“Gjatë bllokimit të foltores së Kuvendit i është dhënë fjala deputetit Sali Berisha për procedurë. Gjatë fjalës së tij, duke mbajtur të bllokuar foltoren dhe jashtë parashikimeve të nenit 49 të Rregullores së Kuvendit, deputeti Sali Berisha përdori një fjalor joparlamentar, bëri thirrje për akte dhune, përdori një gjuhë të shprehuri që nxit urrejtjen, shkelje këto të rënda të parashikuara në Nenin 6 të Kodit të Sjelljes së Deputetit dhe të parashikuara në nenet 64 dhe 65 të Rregullores së Kuvendit. Në vijim të këtyre veprimeve të rënda të kryera nga deputeti Sali Berisha, i cili u mbështet edhe nga deputetë të tjerë anëtarë të grupeve parlamentare të opozitës”, thuhet në kërkesën e PS.
Gjithashtu socialistët kërkojnë përjashtimin me 60 ditë për 6 deputetë të tjerë të opozitës, Bledion Nallbati, Ivi Kaso, Blendi Himçi, Xhelal Mziu, Albana Vokshi dhe Klodiana Çapja. “Në momentin që filloi votimi i çështjeve të rendit të ditës deputetët Blendi Himçi, Ivi Kaso, Bledion Nallbati, Xhelal Mziu përdorën lëndë apo mjete piroteknike ndërsa gjithashtu deputeti Blendi Himçi dhe deputetet Albana Vokshi dhe Klodiana Çapja hodhën sende të forta në drejtim të Drejtuesit të Seancës dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave, shkelje këto të rënda të parashikuara në Nenin 65/1 të Rregullores së Kuvendit.
Sjellja e këtyre deputetëve përbën shkelje të rënda të normave të etikës dhe disiplinës parlamentare, duke cenuar autoritetin e Kuvendit dhe kushtet për ushtrimin e rregullt të veprimtarisë parlamentare.
Veprimet e deputetëve të sipërcituar u shoqëruan me bllokim të foltores së Kuvendit, tensione dhe zhurmë të vazhdueshme me mjete fryrëse nga deputetë të tjerë të opozitës, duke penguar zhvillimin e rregullt të procedurës së votimit. Gjithashtu është një shkelje e rëndë gjuha joparlamentare dhe nxitëse e dhunës nga deputeti Sali Berisha”, thuhet në kërkesë.
“Në rrugët e Tiranës u thyen kocka të rinjsh, u çanë kafka. Mjetet më të egra u përdorën kundër të rinjve. Këta parlamentarë që shihni këtu janë më kriminelë se ata që çajnë kafka dhe thyejnë kocka. E meritojnë këta t’u çahet kafka dhe t’u thyen kockat”, tha Berisha në fjalën e tij.
Në seancë mungonin 20 deputetë demokratë, të përjashtuar pas skenave kaotike të një jave, më parë. Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën i Kuvendit përjashtoi me 60 ditë deputetët Flamur Noka, Belind Këlliçi, Fidel Kreka, Edi Paloka, Besart Xhaferri dhe Luçiano Boçi, shkruan A2 CNN.
Gjithashtu u përjashtuan për 10 ditë për deputetët Gjin Gjoni, Bardh Spahia, Albana Vokshi, Elda Hoti, Xhelal Mziu, Gent Strazimiri, Enno Bozdo, Kastriot Piroli, Kliti Hoti, Flamur Hoxha, Arjan Ndoja, Ivi Kaso, Zija Ismaili dhe Blendi Himçi.
Burimi: Dukagjini
