Tetë orë protestë në Tiranë, përplasje me policinë dhe arrestime

Tetë orë protestë në Tiranë, përplasje me policinë dhe arrestime

Written by

in

Protesta e 19-të në Tiranë, e organizuar nga opozita dhe e mbështetur nga një grup studentësh, është shoqëruar me tensione dhe përplasje me Policinë e Shtetit, duke zgjatur rreth tetë orë.

Protesta nisi në dy lokacione të ndryshme. Studentët u mblodhën para Ministrisë së Arsimit, ndërsa mbështetësit e Partisë Demokratike, të udhëhequr nga deputetë të opozitës, marshuan drejt Kryeministrisë.

Fillimisht, protestuesit demokratë qëndruan rreth 30 minuta para godinës së Kryeministrisë, përpara se t’i bashkoheshin studentëve pranë Ministrisë së Arsimit. Gjatë këtij marshimi pati tensione verbale, ndërsa në mesin e protestuesve u dëgjuan edhe thirrje kundër kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të PD-së, Sali Berisha.

Situata u përshkallëzua para Ministrisë së Arsimit, ku një pjesë e protestuesve hodhën sende të forta në drejtim të policisë. Për disa orë, Policia e Shtetit u bëri thirrje protestuesve që të ndalonin veprimet e dhunshme, ndërsa në një moment përdori autobotin me ujë për të shpërndarë turmën.

Rreth orës 15:20, tensionet u shtuan me hedhjen e mjeteve ndezëse në drejtim të forcave të policisë. Pas disa orësh përplasjeje, protestuesit u larguan nga Ministria e Arsimit dhe marshuan drejt Kryeministrisë.

Edhe para godinës së qeverisë situata u tensionua sërish. Policia ndërhyri me autobotë uji dhe u bëri thirrje protestuesve të ndalonin veprimet e dhunshme dhe të largoheshin nga perimetri i Kryeministrisë.

Më pas, protesta u zhvendos në rrugët e Tiranës, ku policia nisi shoqërimin e protestuesve. Sipas raportimeve të Top Channel, tre persona u arrestuan gjatë ndërhyrjeve policore.

Pas shpërndarjes për disa minuta, protestuesit u rikthyen sërish para Kryeministrisë, duke vazhduar tubimin me thirrje politike, ndërsa policia përdori spraj me ujë dhe piper.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama reagoi përmes një postimi në rrjetet sociale, ku publikoi fotografi nga protesta dhe ironizoi përsëritjen e protestave të opozitës.

Burimi: Dukagjini