Teuta Haxhiu nuk e lëshon foltoren, përplaset me kryetaren Albulena Haxhiu

Teuta Haxhiu nuk e lëshon foltoren, përplaset me kryetaren Albulena Haxhiu

Written by

in

Deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, ka refuzuar ta lëshojë foltoren e Kuvendit të Kosovës edhe pasi i ka përfunduar koha e paraparë për fjalim.

Teuta Haxhiu ka kërkuar që t’i vazhdohet koha për ta përfunduar fjalën e saj, por kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk ia ka lejuar vazhdimin e fjalimit.

Pavarësisht përfundimit të kohës së caktuar, deputetja e Aleancës ka insistuar të vazhdojë fjalën dhe nuk është larguar nga foltorja, edhe pasi kryetarja e Kuvendit ia ka dhënë fjalën deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Sylejman Meholli.

Gjatë debatit, Teuta Haxhiu i është drejtuar kryetares së Kuvendit duke pretenduar se ajo ka bërë lëshime edhe në raste të tjera.

“Kryetare, ke bo lëshime vazhdimisht. Pse përmenda Albanin a?”, ka thënë Haxhiu.

Në anën tjetër, Albulena Haxhiu i ka kërkuar deputetes që të ulet në vendin e saj dhe të mos pengojë vazhdimin e seancës.

“Ju lutem të mos pengoni zhvillimet e kësaj seance, që të zini vendin tuaj, deputete Haxhiu”, ka thënë kryetarja e Kuvendit.

Ajo i ka sugjeruar Teuta Haxhiut që shqetësimet e saj t’i shprehë në një konferencë për media ose në një moment tjetër.

Ndërkohë, Albulena Haxhiu i ka dhënë mundësinë deputetit Sylejman Meholli të vazhdojë fjalën nga vendi i tij, duke theksuar se ai mund të dëgjohet pa qenë e nevojshme që deputetja Haxhiu të qëndrojë në foltore. /Telegrafi/