Një 13-vjeçare, e cila ishte larguar nga banesa dhe ishte shpallur e humbur nga familjarët, dyshohet se është shfrytëzuar seksualisht nga persona të rritur.
Pas disa ditësh kërkimesh, e mitura u gjet në Tiranë, ndërsa në kuadër të hetimeve janë ndaluar dy burra, përkatësisht 46 dhe 49 vjeç, të dyshuar për trafikim të të miturve dhe marrëdhënie seksuale me të mitur.
Gjithçka nisi pas kallëzimit të familjarëve në Policinë e Shkodrës për largimin e 13-vjeçares nga banesa. Policia në Shkodër nisi menjëherë kërkimet për gjetjen e saj, në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë dhe Fier. Operacioni u zhvillua nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës dhe me asistencën e strukturave të sigurisë së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Pas disa ditësh kërkimesh, e mitura u lokalizua në Tiranë. Hetimet e kryera për këtë rast çuan në ndalimin e shtetasit A. Q., 46 vjeç, banues në Tiranë, si dhe të shtetasit E. V., 49 vjeç, banues në Fier. Të dy dyshohen për përfshirje në abuzimin seksual ndaj 13-vjeçares dhe trafikimin e të miturve.
Gjykata ka caktuar për të dy të ndaluarit masën e sigurisë “Arrest në burg”. Ata dyshohen për veprat penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur” dhe “Trafikimi i të miturve”, të parashikuara nga nenet 100 dhe 128/b të Kodit Penal. Ndërkohë, hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që dyshohet se mund të jenë përfshirë në këtë ngjarje.
Burimi: Insajderi