
Nëntë persona kanë humbur jetën pasi një avion privat i tipit Learjet u rrëzua dhe shpërtheu në flakë të dielën pasdite në Qarkun Palm Beach, në Florida të Shteteve të Bashkuara.
Aksidenti ndodhi pranë zonës Cresthaven, rreth 14 kilometra larg Mar-a-Lago, vendpushimit të presidentit amerikan, Donald Trump.
Sipas Administratës Federale të Aviacionit (FAA), avioni ishte nisur nga Austin i Teksasit dhe kishte destinacion Bahamasin.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë bërë të ditur identitetin e nëntë personave që ndodheshin në bord, ndërsa mbetet e paqartë se sa prej tyre ishin pasagjerë dhe sa pjesëtarë të ekuipazhit.
Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, e përshkroi momentin e rrëzimit me fjalët: “Dukej si një raketë që po binte”.
Ndërkohë, të dhënat e fluturimit dhe raportimet e mediave amerikane tregojnë se avioni kishte humbur lartësinë me shpejtësi të jashtëzakonshme, duke zbritur qindra metra në sekondë para përplasjes.
Në një audio të publikuar nga komunikimi me kontrollin e trafikut ajror, piloti dëgjohet duke raportuar fillimisht se avioni po zbriste me shpejtësi prej 10 mijë metrash në minutë.
Pak çaste më vonë, ai shpalli gjendje emergjence, duke paralajmëruar për një zbritje edhe më të shpejtë.
“Jemi në një gjendje shpejtësie të tepërt, duke zbritur me 20 mijë metra në minutë. Do të rrëzohemi… Na mbaroi koha”, dëgjohet duke thënë piloti.
Ky aksident renditet si më vdekjeprurësi i dyti në Shtetet e Bashkuara gjatë këtij viti, sipas të dhënave të Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit (NTSB).
Aksidenti më vdekjeprurës ishte rrëzimi i një avioni me parashutistë në muajin qershor në Butler të Misurit, ku humbën jetën 12 persona.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali