
Komuna e Gjilanit do të mbajë sot mbledhje urgjente të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi.
Këtë mbledhje e ka ftuar kryetari i komunës, Alban Hyseni, pas ngjarjeve tragjike që kanë ndodhur së fundmi në Gjilan.
Vrasja e dyfishtë të premten, dhe ajo e së dielës kanë tronditur vendin, me ç’rast udhëheqja komunale do të diskutojë mbi veprimet që duhet të ndërmerren.
“Komuna jonë po përballet me një situatë të rëndë pas dy ngjarjeve tragjike. Pas vrasjes së dyfishtë që ndodhi të premten, qyteti ynë u prek përsëri sonte nga një tjetër incident me pasojë humbjen e jetës”, ka shkruar ai.
Ai ka thënë se mbrojtja e jetës së qytetarëve është prioriteti kryesor institucional.
“Komuna e Gjilanit do të përdorë të gjitha kompetencat e saj për të bashkëpunuar me organet e sigurisë në menaxhimin dhe parandalimin e rasteve të tilla”, ka deklaruar ai.