
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se Rusia dhe Ukraina kanë arritur marrëveshje për një “armëpushim energjetik”, i cili hyn në fuqi “menjëherë”, duke shtuar se të dyja palët janë pajtuar me të.
Rusia ende nuk ka reaguar, por mediumi amerikan Axios ka raportuar se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka cilësuar njoftimin e Trumpit si “lajm për mua”, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
Më herët, Trump e kishte paralajmëruar Ukrainën që “të ndalojë me çdo kusht” sulmet ndaj rafinerive të naftës në Rusi.
Ky zhvillim vjen në mes të përplasjeve në rritje mes Trumpit dhe Zelenskyt. Ky i fundit kishte deklaruar të dielën se Ukraina do të jetë “e gatshme të ndalojë sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës, nëse Rusia i ndal sulmet ndaj infrastrukturës sonë energjetike”.
Si Rusia, ashtu edhe Ukraina, i kanë shtuar sulmet ndaj infrastrukturës gjatë muajve të fundit, ndërsa lufta mes tyre po vazhdon në vitin e pestë, pas pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Rusia.
Në ndërkohë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka konfirmuar se e mbështet armëpushimin energjetik të shpallur nga Trump.
“Ukraina e mbështet armëpushimin dhe është e rëndësishme që edhe Rusia ta mbështesë atë”, ka shkruar ai në X.
“Jemi në pritje të detajeve nga pala amerikane”, ka thënë Zelensky.
“Nga ana jonë, Ukraina i mbështet gjithmonë plotësisht hapat drejt uljes së tensioneve, mbrojtjes së jetëve dhe vendimeve të nevojshme për t’i dhënë fund luftës dhe për të garantuar paqe të qëndrueshme”. /Klankosova.tv