Trump paralajmëron marrëveshje për Ukrainën: Mund të përfshijë gjithë Evropën

Trump paralajmëron marrëveshje për Ukrainën: Mund të përfshijë gjithë Evropën

Written by

in

Trump foli për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje, por nuk dha detaje për përmbajtjen e saj apo për diskutimet me përfaqësuesin rus.

“Do të ketë një marrëveshje. Do të jetë një marrëveshje e madhe dhe do të përfshijë më shumë se vetëm Ukrainën. Madje mund të them se mund të përfshijë të gjithë Evropën”, deklaroi Trump para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

Ai e cilësoi marrëveshjen e mundshme si të madhe dhe u shpreh se të gjitha palët do të jenë të kënaqura me rezultatin.

Sipas agjencisë Reuters, Trump konfirmoi se ishte takuar me Dmitrievin, por refuzoi të tregonte se çfarë ishte diskutuar gjatë takimit. Presidenti amerikan bëri të ditur gjithashtu se nuk ishte takuar me delegacionin ukrainas, i cili ndodhej në Uashington.

Ndërkohë, Jared Kushner, dhëndri dhe i dërguari i Trumpit, njoftoi se përfaqësuesit amerikanë kishin zhvilluar në Bruksel bisedime me delegacionet e Ukrainës, NATO-s dhe vendeve evropiane.

Ai i cilësoi diskutimet si produktive dhe me përmbajtje konkrete, duke bërë të ditur se në fokus ishin garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe krijimi i një strukture më të gjerë të sigurisë evropiane.

“Po punojmë intensivisht me të gjitha palët për të gjetur zgjidhje konkrete, që mund t’i japin fund kësaj lufte dhe të krijojmë bazat për një paqe afatgjatë”, shkroi Kushner në rrjetin social X.

Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Ukrainës pritet të takohen në Abu Dabi më 10 dhe 11 nëntor, në përpjekje për të shënuar përparim drejt përfundimit të luftës.

Takimi i Trumpit me Dmitrievin u zhvillua në të njëjtën ditë kur Zonja e Parë e SHBA-së, Melania Trump, priti në Shtëpinë e Bardhë përfaqësues rusë dhe ukrainas, në kuadër të përpjekjeve humanitare për armëpushimin e përkohshëm në qytetin Oleshky, në Ukrainën e pushtuar nga Rusia.

Dmitriev e falënderoi Melania Trumpin për rolin e saj në ndërmjetësimin e këtij armëpushimi, i cili mundësoi evakuimin e civilëve dhe dërgimin e ndihmave humanitare.

Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës nisi në shkurt të vitit 2022, pas pushtimit rus të territorit ukrainas. Pavarësisht përpjekjeve të deritanishme diplomatike, palët ende nuk kanë arritur një marrëveshje për përfundimin e konfliktit.

Burimi: RTKLive