Truproja e kryeparlamentares bullgare rrëzon gazetaren, ajo pëson tronditje në tru

Truproja e kryeparlamentares bullgare rrëzon gazetaren, ajo pëson tronditje në tru

Written by

in

Gazetarja bullgare, Sonya Koltuklieva ka pësuar lëndime të rënda pasi një pjesëtar i Shërbimit Kombëtar të Sigurisë e rrëzoi përtokë, teksa ajo po përpiqej t’i bënte një pyetje kryetares së Parlamentit të Bullgarisë, Mihaela Dotsova.

Incidenti ndodhi në Sofje, para selisë së partisë “Bullgaria Progresive”, të kryeministrit Rumen Radev, ndërsa pamjet u shpërndanë gjerësisht në rrjetet sociale.

Gazetarja Koltuklieva, e agjencisë së lajmeve PIK, po përpiqej të merrte përgjigje nga Dotsova lidhur me anulimin e dy seancave dëgjimore.

Pasi kryetarja e Parlamentit hyri në automjetin zyrtar pa iu përgjigjur pyetjes, gazetarja hapi derën e veturës, çka çoi në ndërhyrjen e pjesëtarit të sigurisë.

Koltuklieva u dërgua me autoambulancë në Akademinë e Mjekësisë Ushtarake. Sipas agjencisë ku ajo punon, ajo pësoi tronditje të trurit, frakturë të klavikulës dhe zhvendosje të shpatullës.

Pas incidentit, Prokuroria Ushtarake nisi procedurat paraprake hetimore, ndërsa pjesëtari i shërbimit të sigurisë që e rrëzoi gazetaren u ndalua.

Shërbimi Kombëtar i Sigurisë njoftoi se kishte urdhëruar një hetim të menjëhershëm për veprimet e zyrtarëve të përfshirë, duke paralajmëruar masa nëse konstatohet se reagimi ishte joproporcional.

Kryetarja e Parlamentit u takua më vonë me gazetaren dhe shprehu keqardhje për incidentin, të cilin e cilësoi të papranueshëm. Ajo tha se do t’i kërkonte drejtuesit të shërbimit të sigurisë të merrte masat më të rrepta.

Ngjarja shkaktoi reagime edhe në skenën politike bullgare. Presidentja Iliana Iotova e dënoi veprimin e zyrtarit si të tepruar dhe kërkoi që përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi. /Telegrafi/