Ukraina ka rifilluar sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës, pavarësisht presionit të presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i ndalur ato, në një kohë kur po afrohet përfundimi i armëpushimit lokal në qytetin e pushtuar të Oleshky-t.
Mediat shtetërore ruse raportuan të dielën se dronët ukrainas me rreze të gjatë veprimi kishin goditur gjatë natës rafinerinë e naftës në Kstovo, në rajonin e Nizhny Novgorodit, duke shkaktuar zjarr.
Sulmi ndodhi pak kohë pas një goditjeje të madhe ndaj një rafinerie tjetër në rajonin e Samarës, në pronësi të gjigantit shtetëror rus të energjisë, Rosneft.
Gazeta The Wall Street Journal kishte raportuar se Ukraina ishte pajtuar me kërkesën e Shtëpisë së Bardhë për të ndalur sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ruse.
Megjithatë, zyrtarë ukrainas i kanë thënë gazetës Kyiv Independent se Kievi nuk kishte pranuar kërkesën e Jared Kushnerit, dhëndrit të presidentit Trump, për pezullimin e sulmeve ndaj rafinerive për 30 ditë, raporton The Guardian.
Sulmet ukrainase ndaj Rusisë rifilluan të premten, ndërsa zyrtarët e Kremlinit janë ankuar se Kievi po i injoron kërkesat e SHBA-së.
Trumpi ka fajësuar presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, për rritjen e çmimeve globale të karburanteve. Muajin e kaluar, ai hoqi sanksionet amerikane ndaj naftës dizel ruse.
Zelenskyy nuk ka komentuar drejtpërdrejt sulmet e fundit ndaj rafinerive, në atë që shihet si përpjekje për të shmangur reagimin e ashpër të Uashingtonit.
Në vend të kësaj, ai njoftoi se forcat ukrainase kishin goditur një ndërmarrje të industrisë së mbrojtjes në rajonin rus të Rostovit, ku prodhohen raketa. Sipas tij, gjatë sulmit është shkatërruar edhe një sistem raketor Pantsir.
Ai i cilësoi këto veprime si pjesë të fushatës së vazhdueshme të Ukrainës për vendosjen e “sanksioneve me rreze të gjatë veprimi” ndaj Rusisë.
Zelenskyy tha se Ukraina ishte e detyruar të kundërpërgjigjej ndaj sulmeve të vazhdueshme ruse me dronë dhe raketa balistike, të cilat kanë shënjestruar infrastrukturën energjetike në qytetet ukrainase.
Gjatë natës, sulmet ruse goditën katër rajone të Ukrainës, duke lënë qindra mijëra familje pa energji elektrike.
“Intensiteti i sulmeve është shumë i lartë dhe rusët po përpiqen të përfitojnë maksimalisht nga mungesa e raketave interceptuese balistike”, shkroi Zelenskyy në Telegram.
Në kryeqytetin ukrainas, Kiev, ndërprerjet e energjisë zgjatën nga tetë deri në dhjetë orë të dielën, pasi një central i rëndësishëm termik ishte dëmtuar nga sulmet.
Presidenti ukrainas pretendoi gjithashtu se Rusia ka pësuar humbje rekord gjatë muajit tetor. Sipas tij, 54 mijë e 400 ushtarë rusë janë vrarë ose plagosur gjatë këtij muaji, shifra më e lartë mujore që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë.
Ai tha se forcat ukrainase kanë rimarrë 96.2 kilometra katrorë territor gjatë tetorit, 10.4 kilometra katrorë më shumë sesa territori që Rusia ka arritur të pushtojë gjatë së njëjtës periudhë.
“Rusia po humb”, theksoi Zelenskyy.
Sulmet e fundit ndodhën në prag të përfundimit të një armëpushimi lokal gjashtëditor në qytetin e pushtuar të Oleshky-t, i ndërmjetësuar nga zonja e parë amerikane, Melania Trump.
Gjatë fundjavës, qindra banorë të këtij qyteti u ribashkuan me familjarët e tyre në veri të Ukrainës, pasi armëpushimi mundësoi kalimin e tyre nga territori i pushtuar.
Të dyja palët e cilësuan si të suksesshëm operacionin e evakuimit të banorëve. Armëpushimi pritet të përfundojë të dielën në mbrëmje.
Burimi: Dukagjini
