Ushtrimi “Golden Sabre” në Vrellë, paralajmërohet prani e shtuar e ushtarëve

Ushtrimi “Golden Sabre” në Vrellë, paralajmërohet prani e shtuar e ushtarëve

Written by

in

Misioni paqeruajtës në Kosovë, KFOR, do të zhvillojë gjatë ditëve në vijim ushtrimin “Golden Sabre” në Kampin Vrella, me pjesëmarrjen e Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe FSK-së. Gjatë ushtrimit pritet prani e shtuar e personelit ushtarak dhe automjeteve në zonë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se ushtrimi do të zhvillohet në kuadër të aktiviteteve të vazhdueshme trajnuese të KFOR-it.

Sipas njoftimit, në këtë ushtrim do të marrin pjesë edhe Policia e Kosovës, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.

“Për këtë arsye, banorët e zonës mund të vërejnë prani të shtuar të personelit ushtarak dhe automjeteve në këtë zonë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia ka bërë të ditur se ushtrimi është i planifikuar dhe synon përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve pjesëmarrëse.

“Kjo është pjesë e ushtrimit të planifikuar, i cili synon të avancojë koordinimin, bashkëpunimin dhe ndërveprueshmërinë ndërmjet të gjithë pjesëmarrësve, duke forcuar më tej aftësinë e tyre për të vepruar së bashku në mënyrë efektive”, thuhet më tej në njoftim. 

Burimi: RTKLive