Vazhdon protesta në Prishtinë, kërkohet dorëheqja e Gërvallës dhe Sveçlës

Vazhdon protesta në Prishtinë, kërkohet dorëheqja e Gërvallës dhe Sveçlës

Written by

in

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka vazhduar të shtunën protestën në Prishtinë, duke kërkuar përgjegjësi institucionale për rastin e vrasjes së 49-vjeçares Arlinda Zekaj në Vitomiricë të Pejës.

Siç raportoi gazetarja e RTK-së, Edona Podvorica në një lidhje direkte në lajmet e orës 17:00, protestuesit janë mbledhur në sheshin “Zahir Pajaziti”, prej nga kanë paralajmëruar marshimin drejt Ministrisë së Drejtësisë, Policisë së Kosovës, Prokurorisë Speciale, Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës.

Protestuesit kanë bërë të ditur se vazhdojnë të kërkojnë përgjegjësi në të gjitha nivelet institucionale që, sipas tyre, kishin informacione për rrezikun me të cilin përballej Arlinda Zekaj.

Ndër kërkesat e tyre mbetet shpallja e femicidit si urgjencë kombëtare, si dhe dorëheqja e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Këto kërkesa, sipas protestuesve, nuk janë përmbushur pavarësisht masave të ndërmarra nga institucionet, përfshirë dorëheqjen e drejtorit të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, dhe suspendimin e 11 zyrtarëve policorë. Suspendime ka pasur edhe në radhët e prokurorisë, përfshirë kryeprokuroren e Pejës dhe prokuroren e rastit.

Protesta po mbahet në vazhdën e mobilizimit qytetar që nisi pas vrasjes së Arlinda Zekajt më 25 tetor. Protesta janë organizuar edhe në Pejë, Mitrovicë dhe Ferizaj.

Sipas gazetares së RTK-së, në protestën e sotme në Prishtinë vërehet numër më i vogël i pjesëmarrësve krahasuar me ditët e kaluara.

Burimi: RTKLive