Vdes bosi famëkeq i drogës që frymëzoi serialin “Narcos: Mexico”

Vdes bosi famëkeq i drogës që frymëzoi serialin “Narcos: Mexico”

Written by

in

Miguel Ángel Félix Gallardo, një nga bosët më famëkeq të drogës në Meksikë, ka vdekur në moshën 80-vjeçare, pas 37 vitesh në burg.

I njohur si “Kumbari” dhe “Shefi i bosëve”, ai ndërroi jetë në një spital në Guadalajara, si pasojë e dështimit të shumëfishtë të organeve.

Prej vitesh vuante nga probleme të rënda shëndetësore.

Félix Gallardo ishte themeluesi i Kartelit të Guadalajarës, një prej organizatave më të fuqishme kriminale në Meksikë gjatë viteve 1970 dhe 1980.

Ai krijoi rrjete të mëdha të trafikimit të kokainës drejt SHBA-së dhe bashkëpunoi me kartelet kolumbiane, përfshirë atë të Pablo Escobarit.

Ish-oficeri i policisë u arrestua në vitin 1989 dhe u dënua për trafikim droge dhe vepra të tjera penale.

Ai u shpall fajtor edhe për përfshirjen në rrëmbimin dhe vrasjen e agjentit amerikan të DEA-s, Enrique “Kiki” Camarena, në vitin 1985, ngjarje që shkaktoi tensione të mëdha mes Meksikës dhe SHBA-së.

Félix Gallardo i mohoi akuzat për vrasjet deri në fund të jetës.

Historia e tij u bë e njohur ndërkombëtarisht edhe përmes serialit “Narcos: Mexico” të Netflix-it, ku personazhi i tij u interpretua nga aktori Diego Luna. /Telegrafi/