
Vëllai i Erona Coklit, Driloni, ka marrë pjesë në protestën kundër vrasjes së grave, ku ka ndarë dhimbjen e familjes për humbjen e motrës së tij dhe ka kërkuar drejtësi për të gjitha gratë që janë vrarë.
Gjatë fjalimit të tij, ai ka kujtuar 12 prillin e vitit 2024, ditën kur Erona u vra nga ish-bashkëshorti i saj, Valon Aliu, brenda Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, pas një mosmarrëveshjeje lidhur me kujdestarinë e djalit të tyre.
Driloni ka thënë se familja nuk është e kënaqur me dënimin prej 24 vitesh burgim, duke theksuar se humbja e motrës ka lënë një dhimbje që nuk mund të shërohet.
“Çdo vrasje lë pas një familje të shkatërruar, lot dhe dhimbje që nuk shërohen kurrë. Unë nuk po flas vetëm si qytetar, por si vëlla që e ka përjetuar humbjen më të rëndë. Më 12 prill 2024, humba motrën time, Eronën, dhe që nga ajo ditë jeta ime nuk është më e njëjtë”, tha ai.
Duke folur për pasojat që kjo vrasje ka lënë te familja, ai ka veçuar edhe dhimbjen e nipit të tij, i cili po rritet pa nënën.
“Dhimbja ime bëhet edhe më e madhe kur e shoh nipin tim duke e përmendur nënën e tij, duke e kujtuar dhe duke e ndier mungesën e saj. Si mund t’ia shpjegosh një fëmije pse nëna e tij nuk do të kthehet më? Si mund t’ia mbushësh boshllëkun që askush nuk mund ta zëvendësojë? Ai do të rritet me mallin për nënën e tij, ndërsa ne do të jetojmë me dhimbjen e humbjes së Eronës. Ne si familje nuk jemi të kënaqur me dënimin prej 24 vitesh burg. Për ne, asnjë dënim nuk mund ta kthejë Eronën, por besojmë se jeta e saj meriton drejtësi dhe se dhimbja e familjes sonë duhet të dëgjohet”, shtoi ai.
Në fjalën e tij, Driloni u bëri thirrje qytetarëve që vrasjet e grave të mos trajtohen vetëm si lajme që harrohen pas disa ditësh, duke kërkuar drejtësi për Eronën dhe të gjitha viktimat e tjera.
“Ju lutem, mos i shihni vrasjet vetëm si lajme që harrohen pas disa ditësh. Pas çdo viktime ka një familje, fëmijë që vuajnë, ëndrra të ndërprera dhe një dhimbje që zgjat gjithë jetën. Drejtësi për Eronën dhe për të gjitha viktimat. Sa jetë të tjera duhet të humben dhe sa familje duhet të vuajnë, që ta kuptojmë vlerën e jetës njerëzore? Dhe në fund, dua ta përmend edhe Arlindën. Dhimbja e një familjeje që humb një njeri të dashur nuk përfundon me ditën e varrimit. Ajo vazhdon çdo ditë, në çdo kujtim, në çdo lot dhe në çdo mungesë. Nuk dua që emrat e Eronës, Arlindës apo të ndonjë gruaje tjetër të mbeten vetëm pjesë e lajmeve dhe statistikave. Dua që ato të kujtohen, të mos harrohen dhe që drejtësia për to të mos mbetet vetëm një kërkesë, por të bëhet realitet”, tha ai.
Erona Cokli u vra më 12 prill 2024 nga ish-bashkëshorti i saj, Valon Aliu, brenda Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, pas një mosmarrëveshjeje lidhur me kujdestarinë e djalit të tyre.
Gjatë këtij incidenti, Aliu kishte plagosur edhe vëllanë e Eronës dhe kishte kanosur me vrasje zyrtaren e Qendrës për Punë Sociale.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali