“Vrapuam për 20 minuta”, ariu u shfaq vetëm 10 metra larg dy personave që po mblidhnin gështenja në Deçan

“Vrapuam për 20 minuta”, ariu u shfaq vetëm 10 metra larg dy personave që po mblidhnin gështenja në Deçan

Written by

in

“Vrapuam për 20 minuta”, ariu u shfaq vetëm 10 metra larg dy personave që po mblidhnin gështenja në Deçan

Një ari i madh është shfaqur pranë dy personave që po mblidhnin gështenja në afërsi të një maje mbi fshatin Pobërgjë të Deçanit.

Sejdi Tolaj ka treguar përmes një postimi në Facebook se ngjarja ka ndodhur të dielën, kur ai dhe një familjar i tij po mblidhnin gështenja në këtë zonë.

Sipas Tolajt, ariu është shfaqur rreth 10 metra larg tyre, ndërsa familjari, i cili ndodhej 7–8 metra larg tij, e ka njoftuar për praninë e kafshës.

Ai ka thënë se, i shqetësuar nga situata, ka vendosur të largohet me vrap përmes një përrockke.

“Vrapuam për afërsisht 20 minuta dhe, fatmirësisht, ariu nuk na ndoqi. Shpëtuam pa pasoja!”, ka shkruar Tolaj.

Ai ka paralajmëruar qytetarët që dalin për të mbledhur gështenja në rajonin e Deçanit që të kenë kujdes dhe të mos shkojnë vetëm.

Tolaj ka theksuar se terreni në këtë pjesë është kryesisht i mbuluar me bung, me pak gështenja dhe me pamje të kufizuar në disa vende, duke e bërë të vështirë edhe gjetjen e personave në rast incidenti.

Në fund të postimit, ai ka kërkuar nga qytetarët të ndajnë përvojat dhe këshillat e tyre për mënyrën se si duhet vepruar në rast të përballjes me ariun.

“Kujdes, sepse në mal nuk jemi gjithmonë vetëm!”, ka përfunduar Tolaj.

Burimi: Insajderi