Qyteti i Worcesterit në shtetin e Massachusettsit, në SHBA, do të ngrejë flamurin shqiptar para ndërtesës së Bashkisë, në shenjë nderimi për 114-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
Ceremonia është organizuar më 24 nëntor nga të rinjtë e Kishës Ortodokse Shqiptare të Shën Marisë, ndërsa në aktivitet pritet të marrin pjesë kryetari i qytetit, Joe Petty, sekretari i Bashkisë, Niko Vangjeli, si dhe anëtarë të Këshillit Bashkiak.
Programi përfshin ngritjen e flamurit kuqezi para Bashkisë në orën 18:00 në Amerikë, shoqëruar me muzikë dhe valle tradicionale shqiptare.
Grupi i valltarëve ValleTona do të prezantojë vallet shqiptare, ndërsa vëllezërit Delia do të interpretojnë këngë tradicionale folklorike
Në aktivitet do të ketë gjithashtu recitime poezish dhe intonimin e himneve kombëtare të Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shkruan First Ballkan Media.
Pas ceremonisë së ngritjes së flamurit, në orën 18:30, programi do të vazhdojë brenda ndërtesës së Bashkisë, ku përfaqësuesit e komunitetit shqiptar do t’i drejtohen Këshillit Bashkiak.
Aktiviteti shënon 114 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, dhe nderon gjithashtu historinë e flamurit shqiptar dhe figurën e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, transmeton Telegrafi.
Ngritja e flamurit kuqezi në një institucion të rëndësishëm të qytetit përbën një tjetër dëshmi të pranisë dhe kontributit të komunitetit shqiptar në jetën shoqërore e kulturore të Shteteve të Bashkuara./Telegrafi/