Ish-banorja e Big Brother VIP Kosova, Xhuli Nura, ka reaguar ashpër pas rastit të fundit të vrasjes së Arlinda Sylaj – Zekajt në Pejë, duke ngritur shqetësimin për sigurinë e grave në Kosovë.
Përmes dy videove të publikuara në InstaStory, ajo ka shprehur dhimbjen dhe indinjatën e saj për një tjetër rast të rëndë, duke theksuar se dhuna ndaj grave nuk mund të vazhdojë të trajtohet si një problem që përsëritet pa fund.
Xhuli, e cila para pak javësh është bërë nënë e binjakëve përmes metodës IVF, ka treguar se lajmin për vrasjen e Arlindës e kishte parë në mesnatë, teksa po ushqente me gji foshnjat e saj.
Foto: Screenshot/Instagram
“Isha duke i dhënë gji bebave në 12 të natës kur e pashë lajmin e prapë një gruas në Pejë që është vrarë”, ka shkruar ajo, duke kujtuar se më herët kishte lexuar për rastet e shumta të vrasjeve të grave në vende të ndryshme të botës, por nuk kishte besuar se një realitet i tillë do të bëhej kaq i pranishëm edhe në Kosovë.
Sipas saj, është e vështirë të kuptohet se deri kur gratë duhet të durojnë dhe pse shoqëria vazhdon t’i gjykojë ato për vendimet që marrin në jetën personale.
Në reagimin e saj të dytë, Nura iu është përgjigjur edhe atyre që mund ta pyesin pse ka vendosur të bëhet nënë pa një partner.
Përmes një pyetjeje të drejtpërdrejtë, ajo ka vënë në pah frikën që, sipas saj, shumë gra mund të ndjejnë kur bëhet fjalë për sigurinë brenda një marrëdhënieje.
“Me kë t’i bëj bebat vetë? Me kë t’i bëj, me vrasës a?”, është shprehur tutje, duke përmendur frikën se një grua mund të mos e dijë nëse është e sigurt pranë partnerit apo edhe anëtarëve të tjerë të familjes së tij.
Xhuli beson se gratë po ndërgjegjësohen gjithnjë e më shumë dhe se kanë të drejtë ta ndërtojnë jetën sipas dëshirave dhe vendimeve të tyre, pa u detyruar të qëndrojnë në marrëdhënie ku ndihen të pasigurta.
Ajo ka kritikuar ashpër gjendjen e sigurisë dhe drejtësisë në vend, duke e cilësuar situatën si dështim të shoqërisë për t’i mbrojtur gratë.
“Si shoqëri kemi dështuar, drejtësia ka dështuar, siguria ka dështuar në Kosovë”, ka deklaruar ajo, duke shprehur keqardhje për numrin e rasteve të vrasjeve të grave dhe duke kërkuar që ky realitet të mos pranohet më si diçka e zakonshme.
Në fund, Nura ka bërë thirrje për reagim dhe ndryshim, duke e mbyllur mesazhin e saj me fjalët: “Deri kur më, stop, stop, stop”. /Telegrafi/