
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi të mërkurën se Kievi shpreson të arrijë rezultate konkrete në bisedimet për përfundimin e luftës me Rusinë gjatë këtij viti, por theksoi se shumëçka do të varet nga mënyra se si Shtetet e Bashkuara do të sillen ndaj Moskës, transmeton klankosova.tv
Zelensky i bëri këto deklarata në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin irlandez, Micheal Martin, pas dy ditësh bisedimesh të ndërmjetësuara nga ShBA-ja mes negociatorëve ukrainas dhe rusë në Abu Dhabi.
“Ne po përjetojmë sulme masive. Natyrisht, dëshirojmë të arrijmë rezultate deri në fund të këtij viti dhe, sigurisht, do të bëjmë gjithçka që kjo të ndodhë”, deklaroi Zelensky.
“Shumëçka do të varet nga formati i dialogut mes palës amerikane dhe asaj ruse nesër. Besoj se është shumë e rëndësishme edhe për amerikanët që të arrijnë një rezultat këtë vit, duke pasur parasysh atë që po ndodh. Më duket se ata e dëshirojnë vërtet këtë”, shtoi ai.
Sipas Reuters, bisedimet e udhëhequra nga ShBA-ja, të parat që nga muaji shkurt, rezultuan me një marrëveshje për një shkëmbim të rëndësishëm të të burgosurve të luftës, por pa ndonjë njoftim tjetër konkret lidhur me hapat drejt përfundimit të konfliktit.