Zelensky: Putini dëshiron ta shkatërrojë Ukrainën, në rrezik është ekzistenca e vendit

Zelensky: Putini dëshiron ta shkatërrojë Ukrainën, në rrezik është ekzistenca e vendit

Written by

in

Zelensky: Putini dëshiron ta shkatërrojë Ukrainën, në rrezik është ekzistenca e vendit

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar se synimet e presidentit rus, Vladimir Putin, shkojnë përtej pushtimit të territoreve ukrainase, duke vënë në pikëpyetje vetë ekzistencën e shtetit ukrainas.

“Putini do të na shkatërrojë”, ka deklaruar Zelensky, duke theksuar se Rusia nuk e respekton sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

Sipas tij, kërkesat e Moskës nuk kanë të bëjnë vetëm me Donbasin apo me pjesë të tjera të territorit ukrainas, por me vetë ekzistencën e vendit.

“Ne jemi ende në këmbë dhe po luftojmë. Cila është alternativa tjetër? Asgjësimi”, ka thënë ai.

Zelensky ka shprehur gjithashtu bindjen se Evropa aktualisht është e bashkuar në mbështetje të Ukrainës dhe e vetëdijshme për rreziqet që paraqet lufta me Rusinë.

“Evropa është shumë e bashkuar dhe është e vetëdijshme për të gjitha rreziqet”, ka deklaruar presidenti ukrainas, duke përmendur edhe incidente të fundit në Bullgari, Gjermani, Poloni dhe Rumani.

Ai ka theksuar se për sa kohë që Ukraina vazhdon të rezistojë, rreziku i përshkallëzimit të konfliktit me Rusinë në Evropë mbetet më i kufizuar.

Kreu i shtetit ukrainas ka paralajmëruar se përparimi i mëtejshëm i forcave ruse mund të shkaktojë edhe një valë të re të emigrimit të ukrainasve drejt vendeve evropiane.

Duke folur për qëndrimin e presidentit amerikan, Donald Trump, Zelensky ka thënë se ai dëgjon shpesh prej tij se synimi është t’u jepet fund vrasjeve. Megjithatë, ai ka theksuar se Rusia është ajo që ka hyrë në territorin ukrainas dhe po vazhdon ofensivën.

“Rusia po na vret në territorin tonë. Ata hynë në tokën tonë dhe po vazhdojnë të shtyhen më thellë. Nuk duan të ndalen. Siç e shihni, nuk duan as ta ngrijnë konfliktin”, ka thënë Zelensky, raporton The Guardian, transmeton Klankosova.tv.

Ai ka ngritur pikëpyetje edhe për kufijtë në të cilët do të ndalej Rusia në rast se lufta do të vazhdonte.

Zelenskyy ka shprehur frustrimin e tij edhe lidhur me deklaratat amerikane për vështirësitë në komunikimin me të. Ai ka bërë të ditur se vetëm një ditë më parë Ukraina ishte sulmuar me më shumë se 1.000 dronë, ndërsa nga pala amerikane ishte thënë se ishte e vështirë të bisedohej me presidentin ukrainas.