Zhegrova u aktivizua nga trajneri Luciano Spalletti dhe në rreth 30 minuta lojë arriti të lërë përshtypje të mira, duke u vlerësuar me notën 7.5. Kjo ishte nota e dytë më e lartë në mesin e futbollistëve të Juventusit, pas Alajbegoviçit, autorit të golit të parë.
Megjithatë, përtej paraqitjes së tij, vëmendje të veçantë ka marrë edhe komenti i “Sportmediaset”, që me një dozë ironie ka vënë në pikëpyetje vendimin e Spallettit për ta lënë vazhdimisht Zhegrovën në bankën rezervë.
Sipas mediumit italian, kosovari duket se ende nuk ka arritur ta bindë trajnerin për t’i dhënë një mundësi nga minuta e parë në kampionat, ndonëse në paraqitjet e tij ka dëshmuar aftësi për të krijuar probleme për mbrojtjet kundërshtare.
“Me sa duket, ai nuk di më si t’ia thotë trajnerit Spalletti, duke pasur parasysh se në të 27 ndeshjet që ka luajtur në kampionat me Juventusin, ka qenë titullar në asnjërën prej tyre. Madje, duket se edhe targën e makinës e ka personalizuar me mesazhin: ‘Të lutem Luciano, më jep një shans nga minuta e parë’”, shkruan me ironi “Sportmediaset”.
Mediumi italian ngre kështu dilemat për arsyet pse një futbollist me aftësitë teknike dhe driblimet e Zhegrovës nuk po merr më shumë hapësirë në formacionin bazë.
Edhe pse stili i lojës së tij mund të mos përshtatet gjithmonë me skemat e trajnerit, pikërisht aftësia për të befasuar kundërshtarin dhe për të krijuar epërsi në situata një kundër një e bën atë një armë të rëndësishme për Juventusin.
Paraqitja ndaj Napolit është një tjetër sinjal pozitiv për Zhegrovën, i cili vazhdon të kërkojë më shumë minuta dhe një vend në formacionin titullar të skuadrës torineze.
Burimi: RTKLive
