Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka kërkuar mbështetjen e Gjermanisë për avancimin e Kosovës në procesin e integrimit evropian, përkatësisht marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.
Gjatë një takimi në Berlin me ministrin e Shtetit për Evropën në Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Gunther Krichbaum, Zulfaj ka ngritur çështjen e pozitës së Kosovës në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe ka kërkuar që progresi i vendit të reflektohet me hapa konkretë drejt anëtarësimit.
Sipas Zulfajt, Kosova ka shënuar progresin më të madh demokratik dhe ekonomik në Ballkanin Perëndimor gjatë dekadës së fundit, por kjo, sipas tij, ende nuk është reflektuar në trajtimin e saj në procesin e integrimit evropian.
Ai ka theksuar se gati katër vjet pas dorëzimit të aplikimit për anëtarësim, Kosova vazhdon të jetë i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që nuk ka marrë statusin e vendit kandidat.
Kryenegociatori ka vlerësuar se mungesa e një vendimi nga BE-ja për statusin kandidat nuk përputhet me premtimet e dhëna në Samitin e Selanikut dhe deklaratat e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për perspektivën evropiane të Kosovës.
Në këtë drejtim, Zulfaj ka kërkuar që Gjermania, si një nga vendet kyçe të Bashkimit Evropian, të angazhohet për të shtyrë përpara vendimmarrjen për statusin kandidat të Kosovës.
Në fund të takimit, ai ka falënderuar ministrin gjerman për bashkëbisedimin dhe diskutimin e hapur lidhur me rrugën evropiane të Kosovës./Telegrafi/