Zulfaj takon eurodeputetin Reuten, diskutohen hapat e Kosovës drejt BE-së

Zulfaj takon eurodeputetin Reuten, diskutohen hapat e Kosovës drejt BE-së

Written by

in

Gjatë takimit, Zulfaj e falënderoi eurodeputetin Reuten për angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, veçanërisht në procesin e integrimit evropian.

Reuten ka luajtur rol të rëndësishëm në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, në cilësinë e raportuesit të Parlamentit Evropian për këtë proces, i cili u mundësoi qytetarëve të Kosovës udhëtimin pa viza në zonën Schengen.

Zulfaj theksoi se avancimi i Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian është në interes të përbashkët të Kosovës dhe BE-së.

Ai nënvizoi se procesi i zgjerimit duhet të bazohet në meritë, sundimin e ligjit dhe respektimin e vlerave themelore të Bashkimit Evropian, të përcaktuara në nenin 2 të Traktatit për Bashkimin Evropian.

Po ashtu, ai theksoi rëndësinë e përafrimit të plotë të Kosovës me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, si pjesë e përpjekjeve për avancimin e mëtejshëm të procesit të integrimit evropian.

Takimi në Bruksel është pjesë e ciklit të takimeve që kryenegociatori Jeton Zulfaj po zhvillon me deputetë të Parlamentit Evropian dhe përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian, me fokus në rrugën evropiane të Kosovës.

Burimi: RTKLive