Zvicrës i mungojnë mbi 10 mijë banesa në vit, mbi 140 mijë rregullore pengojnë ndërtimet e reja

Zvicrës i mungojnë mbi 10 mijë banesa në vit, mbi 140 mijë rregullore pengojnë ndërtimet e reja

Written by

in

Zvicra po përballet me një mungesë gjithnjë e më të madhe të banesave, ndërsa burokracia dhe procedurat e ndërlikuara administrative po pengojnë ndërtimin e objekteve të reja.

Sipas të dhënave të publikuara nga gazeta zvicerane Le Temps, vendit i mungojnë më shumë se 10 mijë banesa çdo vit, ndërsa shkalla e banesave të lira ka rënë në vetëm 0.93 për qind.

Shoqata Zvicerane e Ndërtuesve (SSE) dhe organizata ekonomike Economiesuisse kanë ngritur shqetësimin për pengesat që po e vështirësojnë zhvillimin e sektorit të ndërtimit, transmeton Telegrafi.

Sipas tyre, në Zvicër ekzistojnë mbi 140 mijë rregullore që lidhen me ndërtimin, ndërsa shqyrtimi i një kërkese të vetme për leje ndërtimi mund të përfshijë deri në 40 zyra dhe shërbime të specializuara.

Problemi bëhet edhe më i madh për shkak të kohës së gjatë që kërkohet për miratimin e projekteve.

Në kantonin e Cyrihut, marrja e një lejeje ndërtimi zgjat mesatarisht 167 ditë, rreth 76 për qind më shumë krahasuar me vitin 2010.

Në Gjenevë, procedurat zgjasin mesatarisht 497 ditë, ose 285 ditë më shumë se para 16 vjetësh.

Përveç burokracisë, projektet e ndërtimit përballen edhe me ankesa dhe procedura të njëpasnjëshme ligjore, të cilat mund t’i vonojnë punimet për disa vite.

Kjo situatë rrit kostot për investitorët dhe ndërtuesit, ndërsa ndikon drejtpërdrejt në furnizimin e tregut me banesa të reja.

Mungesa e banesave po prek veçanërisht familjet e reja, personat që kërkojnë një shtëpi dhe punëtorët që detyrohen të zhvendosen për arsye profesionale.

Në 16 kantone të Zvicrës, më pak se një për qind e banesave janë të lira për t’u shfrytëzuar.

Përballë kësaj situate, organizatat ekonomike kërkojnë vendosjen e standardeve të detyrueshme në nivel kombëtar, me afate të qarta për shqyrtimin e kërkesave, digjitalizimin e procedurave dhe shkurtimin e rrugëve të ankimimit.

Ato propozojnë gjithashtu krijimin e një pike të vetme koordinimi në nivel kantonal, në mënyrë që qytetarët dhe kompanitë të mos përballen me dhjetëra institucione gjatë procesit të marrjes së lejeve./Telegrafi/