
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka anuluar vizitën zyrtare të planifikuar për të hënën, më 19 tetor, në Vjenë të Austrisë, në kohën kur në Tiranë po zhvillohen protesta të shoqëruara me tensione dhe ndërhyrje policore.
Sipas një njoftimi të publikuar nga portali austriak OTS.at, anulimi i vizitës është bërë nga pala shqiptare.
Rama ishte paraparë të zhvillonte një takim zyrtar me kancelarin federal të Austrisë, Christian Stocker.
“Vizita zyrtare e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, te Kancelari Federal Christian Stocker, e planifikuar për nesër, të hënën, më 19 tetor 2026, është anuluar nga pala shqiptare”, thuhet në njoftimin e publikuar nga pala austriake.
Anulimi i vizitës vjen në një moment tensionesh në kryeqytetin shqiptar, ku këtë të diel Policia e Shtetit ka ndërhyrë për të shpërndarë protestuesit e mbledhur pranë Kryeministrisë.
Gjatë ndërhyrjes, forcat policore kanë përdorur gaz lotsjellës dhe ujë, ndërsa protestuesit janë larguar përkohësisht nga sheshi, për t’u rigrupuar më pas në zona të tjera të kryeqytetit.
Megjithatë, në njoftimin për anulimin e vizitës nuk është specifikuar arsyeja e vendimit dhe nuk është konfirmuar nëse ai lidhet drejtpërdrejt me protestat.
Po ashtu, ende nuk është bërë e ditur nëse takimi ndërmjet Ramës dhe Stockerit do të ricaktohet për një datë tjetër.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Mes protestave dhe tensioneve në Tiranë, Edi Rama anulon vizitën zyrtare në Austri appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali