Hajnat gjejnë çelësin e fshehur në vazo dhe hyjnë në shtëpi në Vushtrri – zhduket pushka e gjuetisë nga poshtë shtratit

Hajnat gjejnë çelësin e fshehur në vazo dhe hyjnë në shtëpi në Vushtrri – zhduket pushka e gjuetisë nga poshtë shtratit

Written by

in

Hajnat gjejnë çelësin e fshehur në vazo dhe hyjnë në shtëpi në Vushtrri – zhduket pushka e gjuetisë nga poshtë shtratit

Një vjedhje e pazakontë është raportuar në fshatin Prelluzhë të Vushtrrisë, ku persona ende të panjohur dyshohet se kanë shfrytëzuar çelësin e fshehur në një vazo pranë dritares për të hyrë në një shtëpi dhe për të vjedhur një pushkë gjuetie që ndodhej nën shtrat.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në periudhën 16–18 tetor, në kohën kur familjarët nuk ndodheshin në shtëpi.

Viktima është S.S. rreth 44 vjeç, i cili ka raportuar në Polici se persona të panjohur kishin hyrë në shtëpinë e tij dhe nga dhoma e gjumit kishin marrë një pushkë gjuetie të prodhimit rus, me tyta horizontale, së bashku me dokumentacionin përkatës.

Por ajo që e bën rastin më të pazakontë është mënyra se si dyshohet se hajnat kanë depërtuar brenda.

Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, Policia nuk ka vërejtur shenja të hyrjes me forcë në shtëpinë nga e cila është vjedhur arma.

Sipas dyshimeve fillestare, autorët mund ta kenë gjetur dhe përdorur çelësin e shtëpisë, i cili ishte lënë i fshehur në një vazo te dritarja.

Ndërkohë, dyshohet se personat e njëjtë kanë hyrë me forcë edhe në një shtëpi tjetër të ankuesit, në të njëjtin oborr, por nga aty nuk është raportuar vjedhja e ndonjë sendi.

Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, me udhëzim të të cilit është iniciuar procedura për veprën penale “Vjedhje e rëndë”.

Policia pritet të verifikojë edhe dokumentacionin dhe statusin e lejes për armën e raportuar si të vjedhur.

Pushka e gjuetisë mbetet e pagjetur, ndërsa personat që dyshohet se kanë hyrë në pronë ende nuk janë identifikuar. Hetimet po vazhdojnë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Hajnat gjejnë çelësin e fshehur në vazo dhe hyjnë në shtëpi në Vushtrri – zhduket pushka e gjuetisë nga poshtë shtratit appeared first on Sinjali.

Burimi: Sinjali