SINJALI 24 | Therje me thikë, dhunë në familje e vjedhje – çfarë ndodhi në Kosovë gjatë 24 orëve

Written by

in

Rastet e therjeve me thikë, dhunës në familje, vjedhjet dhe armëmbajtja pa leje kanë karakterizuar 24 orët e fundit në Kosovë.

Në mesin e rasteve të raportuara janë edhe një 68-vjeçar që pësoi djegie të rënda në Ferizaj, një i dyshuar që tentoi t’i ikte Policisë në Prishtinë dhe një qytetar që u dërgua në vuajtje të dënimit prej 500 ditësh burgim.

Therje me thikë në Pejë, të dy të mitur

Një 15-vjeçar është therur me thikë në bark në Pejë dhe i është nënshtruar operacionit. I dyshuari, gjithashtu i mitur, është ndaluar për 24 orë.

Sprej OC në veturë, rast penal në Shtime

Policia ka gjetur një sprej OC gjatë kontrollit të një veture në Muzeqinë të Shtimes. Rasti është iniciuar për armëmbajtje pa leje, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Vjedhje në Vushtrri, zhduket pushka e gjuetisë

Një pushkë gjuetie është vjedhur nga një shtëpi në Prelluzhë të Vushtrrisë. Dyshohet se personat e panjohur kanë përdorur çelësin e fshehur në një vazo për të hyrë brenda.

Sulm ndaj gruas në Pejë, strehohet me fëmijët

Një grua ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti. Ajo dhe fëmijët janë vendosur në një shtëpi të sigurt, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Kërcënime ndaj bashkëshortes në Gjakovë

Një grua ka denoncuar bashkëshortin për fyerje dhe kërcënime. I dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa alkooltesti ka rezultuar me 2.34 promilë.

Pasagjeri i Audi-t tenton t’i ikë Policisë në Prishtinë

Një i dyshuar ka tentuar t’u ikë policëve dhe ka hedhur një sëpatë gjatë ndjekjes. Ai është lënduar gjatë arrestimit dhe është dërguar për trajtim mjekësor.

68-vjeçari pëson djegie të rënda në Ferizaj

Një 68-vjeçar ka pësuar djegie të rënda në Ferizaj dhe është transferuar për trajtim në QKUK. Rasti po hetohet nga organet kompetente.

Nuk pagoi gjobën prej 10 mijë eurosh, dërgohet në burg

Një qytetar nga Prishtina është dërguar në vuajtje të dënimit prej 500 ditësh burgim, pasi nuk e kishte paguar gjobën prej 10 mijë eurosh për armëmbajtje dhe përdorim të armës.

SINJALI 24 – Kur ti flije, ne e përcollëm Kosovën.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post SINJALI 24 | Therje me thikë, dhunë në familje e vjedhje – çfarë ndodhi në Kosovë gjatë 24 orëve appeared first on Sinjali.

Burimi: Sinjali