Shqiptarët e Luginës presin më shumë përfaqësim në Parlamentin e Serbisë

Shqiptarët e Luginës presin më shumë përfaqësim në Parlamentin e Serbisë

Written by

in

Shqiptarët në Luginën e Preshevës presin që përfaqësimi i tyre në Parlamentin e Serbisë të fuqizohet pas unifikimit të subjekteve politike në një listë të përbashkët. Mosnjohja e diplomave, pasivizimi i adresave dhe mungesa e investimeve janë ndër çështjet për të cilat kërkojnë më shumë angazhim institucional. Zgjedhjet parlamentare të së dielës shihen si mundësi për ta rritur përfaqësimin dhe për të ngritur zërin për problemet e tyre.

Mosnjohja e diplomave të Kosovës, pasivizimi i adresave dhe mungesa e investimeve në Luginën e Preshevës janë vetëm disa nga temat për të cilat qytetarët e Luginës së Preshevës presin që të sensibilizohet shumë më shumë në legjislaturën e ardhshme të Parlamentit të Serbisë.

Kjo, pasi përfaqësimi i shqiptarëve pritet të rritet pas unifikimit të faktorit shqiptar në një listë të vetme për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen të dielën.

“Ato që janë më të rëndësishme për qytetarët, t’i ngrisin si çështje dhe pastaj, ngadalë ngadalë, ato zgjidhen. Këtu kisha me veçuar njohjen e diplomave të studentëve të cilët kanë kryer fakultetet në Kosovë, pasavizimin e qytetarëve shqiptarë të cilët jetojnë në Luginën e Preshevës apo në përgjithësi në Serbi, të cilat janë më shumë politike sesa ligjore”, tha Ismail Pajaziti, qytetar, raporton RTK.

Shqiptarët në Luginë presin që unifikimi i spektrit politik të jetë një motiv shtesë që të dielën të ketë dalje sa më masive për të votuar koalicionin shqiptar.

“Jemi shumë optimistë që me unifikimin e tetë partive shqiptare këtu në Luginën e Preshevës, kjo edhe ndoshta do të japë frytet e veta dhe që të kemi rezultate sa më të mira dhe përfaqësim pak më dinjitoz në Parlamentin e Serbisë”, pohoi Lumturije Limani, gazetare.

Shoqëria civile dhe qytetarët vlerësojnë se ishte momenti i fundit që subjektet politike të bashkoheshin në një listë, për të dhënë një mesazh edhe për qytetarët.

“Dalja pritet të jetë shumë e lartë, por unë besoj se me një mobilizim të votuesve të këtushëm dhe me thirrjet që po i bëjnë subjektet politike, por edhe mesazhet që po na vijnë nga Republika e Kosovës dhe e Shqipërisë, megjithatë do t’ia dalim që, nëse jo tre, së paku të kemi të paktën dy deputetë në përbërjen e ardhshme, e cila pritet të jetë mjaft interesante krahasuar me përbërjet e kaluara që kanë qenë në Parlamentin e Serbisë”, tha Jeton Ismaili, gazetar.

“Ky unifikim sigurisht nuk është arritur lehtë, mirëpo me intervenimin e qeverisë së Kosovës është arritur që të gjitha partitë politike shqiptare të dalin me një listë të përbashkët”, theksoi Ismail Pajaziti, qytetar.

Në zgjedhjet parlamentare në Serbi, pritet të ketë një rivalitet të fortë mes listës opozitare studentore dhe subjektit të Vuçiqit. Kjo pritet të hapë një kapitull të ri në skenën politike, ndërsa rezultati mund të ndikojë edhe në pozitën e shqiptarëve në Luginë./RTK