Një libër i ri sjell një rrëfim të jashtëzakonshëm për betejën ligjore të një gruaje pasi pësoi një sulm brutal në vitin 1472, në qytetin francez të Dizhonit. Libri sfidon supozimet tona moderne për jetën e grave në Mesjetë.
Nga: Laurie Clarke / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com
Jehanne ishte thuajse jabanxhike në qytetin e Dizhonit në dimrin e vitit 1472, kur u bë viktimë e një episodi të tmerrshëm dhune. Në atë kohë ishte në një fazë të vonshme të shtatzënisë. Ajo që ndodhi më pas, e gjurmuar nga historiania Sara McDougall në librin e saj të ri Drejtësi për Zhanën [Justice for Jehanne], ofron një pasqyrë befasuese të drejtësisë mesjetare që përmbys supozimet e përhapura për atë epokë.
I mbështetur në dokumentet e një hetimi për sulmin, libri merr formën e një tregimi detektiv mesjetar, duke zbërthyer pyetjet: Çfarë ndodhi vërtet atë natë? Dhe, kush ishte gruaja në qendër të ngjarjes?
Lexo po ashtu:
– Murtaja e Zezë nuk e shkatërroi Britaninë – ajo e shpëtoi
– “Ishin njerëz të rreziqeve”: Vikingët që arritën në Amerikë 500 vjet para Kolombit
– Çfarë mund të na mësojë Mesjeta për parandalimin e rraskapitjes
– Të vjella, nxjerrje gjaku dhe puthje të shenjta – e vërteta për mjekësinë mesjetare
– Gjyqet brutale për magji, të cilat vazhdojnë të kenë ndikim edhe sot
Kush ishte Jehanne?
E lindur në Lorenë, në Verilindje të Francës, në një familje të varfër, Jehanne kishte udhëtuar drejt jugut, në Dizhon. Në atë epokë, identiteti ishte diçka e paqartë. Në vitin 1472, ajo i tha hetuesit se ishte “rreth 32 vjeçe”. Lindjet nuk regjistroheshin, prandaj askush nuk mund të ishte plotësisht i sigurt sa vjeç ishte. Ajo tha se ishte e martuar: “gruaja e Jehanit të Relanzhit”.
Në atë kohë, mbi të gjitha veshja përcaktonte se si duhej trajtuar dikush, dhe veshja e Jehannes kërkonte njëfarë respekti. Sipas dëshmitarëve, rrobat e saj ishin elegante. Mbulesa e gjatë, e hedhur me kujdes mbi flokët e saj të artë kur dilte në publik, tregonte statusin e saj si një grua e martuar dhe e respektueshme.
Mbretërimi i terrorit
Në Dizhon, ato ishin kohë të dhunshme, të rrënuara nga lufta. Luftimet vazhdonin mes Sharlit të Guximshëm, dukës së Burgundisë, dhe mbretit Luigji XI të Francës, ndërsa qyteti ndodhej nën kërcënimin e menjëhershëm të pushtimit – teksa mbreti përparonte nëpër fshatrat e Burgundisë.
Për ta mbrojtur Dizhonin, duka kishte vendosur mercenarë përreth mureve të tij. Por, këta burra të egër dhe të paligjshëm e kishin nënshtruar bashkinë ndaj mbretërimit të terrorit të tyre.
“Kishte përsëritje të problemeve me burra të cilët natën kërkonin viktima të mundshme për t’u zhvatur para, për t’i keqtrajtuar, për t’i mbajtur për haraç ose për t’i rrëmbyer”, i thotë McDougall, BBC-së. “Autoritetet e qytetit nuk ishin të kënaqura për këtë. Kjo ishte një pikë e madhe konflikti mes qytetit dhe dukës”.
Krimi
Mbrëmjen e 3 janarit 1472, Jehanne dhe gruaja e cila e strehonte dëgjuan një goditje të fortë në derën e përparme. Përballë tyre u shfaqën dy burra vendas, të cilët kërkuan që gratë të shkonin me ta. Pasi ato refuzuan, njëri prej burrave vrapoi drejt një hani aty pranë për të mbledhur disa nga mercenarët e dukës.
Sipas Jehannes, burrat e tërhoqën zvarrë deri në një fushë aty pranë dhe e sulmuan. Nuk kishte rëndësi që ishte shtatzënë, bërtitën ata. Kishin dëgjuar se fëmija i saj i palindur ishte i një prifti dhe, për rrjedhojë, i jashtëligjshëm.
Oborri i Sharlit të Guximshëm, dukës së Burgundisë, i cili, në këtë moment të historisë, kishte vendosur mercenarë të paligjshëm përreth mureve të Dizhonit(Getty Images)
Jehanne përshkroi se burrat kërkonin “shoqëri fizike” me të, ndërsa ajo përpëlitej në dëborë. Në fund, ata u penguan nga shtatzënia e saj e vonshme dhe rezistenca e saj e fortë. Ajo përshkroi se si e kishin rrahur dhe hedhur me bark përtokë dhe se ishte e tmerruar për shëndetin e fëmijës së saj të palindur.
Ajo që ndodhi më pas është befasuese, duke pasur parasysh përfytyrimin tonë modern për Mesjetën. Zakonisht mendohet se përdhunimi dhe sulmi seksual konsideroheshin aq të turpshëm, saqë femrat e mbijetuara trajtoheshin rregullisht si të përjashtuara nga bashkësitë e tyre dhe, në fund, detyroheshin të merreshin me punë seksuale. Ky përfytyrim mund të gjurmohet te një libër i njohur me titull Prostitucioni mesjetar [Medieval Prostitution] (botuar për herë të parë në vitin 1988 dhe i përditësuar në vitin 2010) nga Jacques Rossiaud.
McDougall, profesoreshë e historisë në Kolegjin Xhon Xhej të Drejtësisë Penale në Nju-Jork, nisi të verifikonte vërtetësinë e rrëfimit të Rossiaudit, duke pasur si pikënisje një referencë të shkurtër që ai kishte bërë për një grua shtatzënë, pa emër, e cila ishte sulmuar seksualisht nga mercenarët në Dizhon. Në fillim, gruaja kishte pasur tepër turp për t’ua treguar autoriteteve atë që kishte përjetuar, shkroi Rossiaud. Dhe, shumë të mbijetuara të dhunës seksuale, si ajo, përfundonin – sipas tij – në shtëpi publike.
Ky rast tingëllon shumë si Jehanne. Por, kur McDougall nisi ta hulumtonte çështjen – duke shqyrtuar me imtësi 70 faqe pergameni të shkruara dendur, të ruajtura në arkivin bashkiak të Dizhonit – doli në pah një histori krejt tjetër.
Një hetim i hollësishëm
Detajet e dëshmisë së Jehannes u regjistruan nga një hetues që punonte në emër të autoriteteve të qytetit, Jaques Borestel.
Pasi dëgjoi njoftimet se mercenarët kishin rrëmbyer dhe sulmuar një grua shtatzënë, Boresteli u nis menjëherë për të mbledhur të dhëna për viktimën dhe autorët e dyshuar.
Intervista e tij e parë me Jehannen u zhvillua një ditë pas sulmit. Ai e gjeti të shtrirë në shtrat, të rënduar nga ajo që kishte përjetuar dhe të frikësuar për foshnjën e saj. Ajo ia dha pa hezitim Borestelit detajet për sulmin dhe informacionet për sulmuesit për aq sa mund të mbante mend. Të nesërmen, Jehanne lindi një vajzë.
Vendimi i Jehannes për ta treguar historinë e saj ishte disi i pazakontë. Kishte shumë arsye që mund ta frenonin nga një sinqeritet i tillë.
Qyteti vështirë se kishte një bilanc të shkëlqyer në drejtësinë penale. Dënimi për rrëmbim dhe sulm ishte, teknikisht, vdekja. Por, shumica e krimeve nuk ndiqeshin penalisht. Me pak fjalë, Jehanne nuk kishte diçka për të fituar duke paraqitur ankesën e saj.
Me informacionin e dhënë nga Jehanne, Boresteli arriti shpejt të kapte shumicën e sulmuesve.
Pas marrjes në pyetje, burrat mohuan se e kishin sulmuar Jehannen. Boresteli organizoi një takim ku Jehanne u përball me sulmuesit e saj dhe përsëriti versionin e saj të ngjarjeve. Kur ata ende nuk e pranuan fajin, zyrtarët bashkiakë u pajtuan se ishte e pranueshme të merreshin masa “të jashtëzakonshme”. Një burrë u torturua me një metodë të ngjashme me derdhjen e dhunshme të ujit në gojë [waterboarding]. Në fund, të gjithë u rrëfyen.
Me pranimet e tyre, qyteti vendosi për dënimin e duhur: dënimin me vdekje. Por, kishte një problem. Si mercenarë, burrat ishin teknikisht nën autoritetin e dukës. Duka kishte nxjerrë së fundmi një deklaratë ku dënonte sjelljen e mercenarëve dhe pohonte se donte që banorët e Dizhonit të ndiheshin të sigurt. Tani ai kishte një mundësi për ta ndëshkuar publikisht shkeljen. A do ta shfrytëzonte këtë?
Hetimi i paditëses
Pak kohë më vonë, zyrtarët bashkiakë morën njoftim nga autoritetet dukale. Ata rekomanduan që burrat të liheshin të lirë. Bashkia kundërshtoi, duke u përpjekur të fitonte kohë. Ndërkohë, urdhëroi një hetim të ri: për vetë Jehannen. Ata nuk kishin ndër mend ta nxirrnin Jehannen në gjyq, por donin të vlerësonin legjitimitetin e saj si paditëse. Siç shkroi Boresteli pa asnjë mëdyshje, ai do të hetonte nëse ajo ishte një preudefemme (grua e martuar e respektueshme) apo një “grua e shthurur”.
Boresteli mori në pyetje fqinjët dhe të tjerët të cilët mund të kishin informacion për Jehannen. Shumë prej tyre thanë se ajo dukej një grua e respektueshme – askush nuk e turpëroi apo fajësoi për shkak se kishte pësuar sulmin. Por, shpejt dolën në dritë detajet që binin ndesh me historinë që ajo i kishte treguar Borestelit.
Një fqinj tha se Jehanne kishte lindur një tjetër fëmijë, dy vjet më parë, në një manastir aty pranë. Mendohej se babai ishte një prift me të cilin Jehanne ndante një dhomë në atë kohë. Dukej se Jehanne nuk e kishte parë bashkëshortin e saj prej disa vjetësh.
Boresteli u takua përsëri me Jehannen për ta përballur me këtë dëshmi të fundit. Që nga hera e fundit kur kishte folur me të, ajo ishte kërcënuar nga mbrojtësit e mercenarëve. Pavarësisht kërcënimit të afërt për hakmarrje, fqinjët dhe të njohurit e kishin ndihmuar të gjente vende ku të fshihej. Përfundimisht, ajo kishte shkuar në një spital, ku po punonte.
Jehanne i pranoi Jaquesit se më parë kishte thënë disa të pavërteta. Ajo pranoi se bashkëshorti i saj e kishte lënë disa vjet më parë për të luftuar në luftë. Pas kësaj, ajo kishte njohur një prift dhe ishte bërë dashnorja e tij, duke lindur dy fëmijë të tij.
Pra, a e bënte kjo Jehannen, në fund të fundit, një “grua të shthurur”? Sipas vetë përmbledhjes së saj, siç e regjistroi Boresteli: “Ishte më mirë të ishte e shthurur me trupin e saj për të siguruar jetesën sesa t’i drejtohej plaçkitjes së njerëzve”.
Lexo po ashtu:
– “Shoqëruesja e përkryer e jetës”: Murgesha e shekullit XII, emri më tërheqës në muzikën eksperimentale
– Një histori joshëse: “Bestselleri” mesjetar dhe legjenda e një shenjtoreje “rebele”
– Si ndodhi që Evropa, e cila në vitet 1500 ishte në një gjendje papastërtie, të përparonte kaq shumë?
– Metamorfoza e mitit të gruas nordike – nga gjeneza në Mesjetë
– Dëfryes, këshilltarë, vrasës dhe negociatorë: Roli i gaztorëve në kulturën mesjetare
Një këndvështrim i ri
Kjo përputhej me moralin e ndërlikuar seksual të asaj kohe. Seksi para martesës supozohej se ishte i ndaluar, por në praktikë lejohej gjerësisht. Priftërinjtë supozohej të ishin beqarë, por kishin dashnore dhe bënin fëmijë të jashtëligjshëm. Prostitucioni supozohej të ishte mëkat i rëndë moral, por tolerohej gjerësisht.
Një panel i shekullit XV e paraqet Drejtësinë si figurë me kurorë – rasti i Jehannes përmbys supozimet për mënyrën se si shoqëria mesjetare i trajtonte të mbijetuarat e dhunës seksuale(Fotografi: Getty Images)
Jehanne nuk ishte ajo që kishte thënë se ishte – jo gruaja e ndershme siç fillimisht e kishte paraqitur veten. Siç doli, ajo “jetonte në mëkat”. Por, gjëja më interesante ishte se kjo nuk kishte rëndësi.
Prokurorët, edhe pasi dëgjuan dëshmitë më të fundit të Borestelit, vendosën të vazhdonin me çështjen e saj. Fakti që ajo kishte lindur fëmijë të jashtëligjshëm të një prifti doli se nuk kishte rëndësi. Zyrtarët donin që ata mercenarë të vdisnin.
Megjithatë, kishte edhe një problem tjetër. Mercenarët nuk ishin më në burg.
Autoritetet dukale kishin pretenduar se burrat ishin anëtarë të klerit dhe, për rrjedhojë, u nënshtroheshin vetëm ligjeve kishtare. Ndonëse kjo ishte ashiqare absurde – klerikëve u ndalohej të mbanin armë – autoritetet bashkiake i kishin duart të lidhura. Pas dy muajve në burg, burrat dolën të lirë.
Më pas bëhet e pamundur të gjurmohet se çfarë ndodhi me Jehannen. A u bë prostitutë? Është e mundur – në Dizhon, rreth kësaj kohe, ka disa gra me emrin Jehanne që u bënë të tilla. Por, të dhënat janë tepër të fragmentuara për ta thënë këtë me ndonjë siguri.
Pavarësisht se ku përfundoi historia e saj, McDougall e përdori mundësinë për ta njohur këtë pjesëz të vogël të Jehannes, të ruajtur në një tufë dokumentesh gjyqësore 600-vjeçare. “Kam admirim të madh për të. Më bën shumë përshtypje mënyra se si ajo vazhdoi të mbronte veten”. Pavarësisht kohëve jo të mira, “ajo e shihte veten si dikush që kishte mundësi të vepronte dhe të bënte zgjedhje”.
Kryesorja, historia e Jehannes i sfidon supozimet për Mesjetën. “Kjo shoqëri mesjetare nuk merrej me fajësimin dhe turpërimin e viktimës në ndonjë masë të madhe, për aq sa unë kam mundur të gjej”, thotë McDougall. “Gratë mund të bënin akuza. Ato nuk duhej të kishin kujtesë të përsosur dhe nuk duhej të ishin virgjëresha të përsosura”. Edhe pasi Jehanne paraqiti ankesën e saj, fqinjët iu gjendën në ndihmë.
Jeta ishte e ashpër për gratë mesjetare dhe disa të mbijetuara, pa dyshim, trajtoheshin keq. Por, kjo Jehanne ishte në gjendje të raportonte krimin, të merrej seriozisht, të gjente miqësi gjatë asaj që po përjetonte dhe të arrinte një masë të vogël drejtësie. Çfarëdo që bëri më pas, të paktën mund ta mbante këtë për vete. /Telegrafi/