Alfa Romeo po kundërshton trendin e ekraneve gjithnjë e më të mëdha në makinat moderne, duke kërkuar një dizajn të brendshëm që vendos në plan të parë shoferin dhe jo ekranet me prekje.
Shefi i dizajnit të kompanisë, Alejandro Mesonero-Romanos, deklaroi për revistën britanike Autocar se prodhuesit duhet të heqin dorë nga ekranet gjigante, të cilat, sipas tij, po diktojnë gjithnjë e më shumë mënyrën se si projektohen panelet e makinave.
Filozofia e re shihet te koncepti Cuorerosso, i prezantuar në panairin e makinave në Paris.
Brendësia e tij kombinon ekranet dixhitale me butona fizikë dhe çelësa për funksione të rëndësishme, si kontrolli i temperaturës dhe ventilimit.
Koncepti përfshin gjithashtu dy ekrane të rrumbullakëta për informacionin e drejtimit dhe navigimin.
Sipas Mesonero-Romanos, ekranet e mëdha mund të vjetrohen shpejt dhe të kthehen në një kosto shtesë, ndërsa kontrollet fizike ofrojnë përdorim më praktik.
Megjithatë, Cuorerosso mbetet një koncept dhe ende nuk dihet se cilat prej këtyre elementeve do të kalojnë në modelet e prodhimit.
Me këtë qasje, Alfa Romeo synon të dallohet nga prodhuesit që po e shndërrojnë panelin e makinës në një ekran gjigant me prekje. /Telegrafi/