Komuna e Dragashit hap konkursin për bursa studentore për vitin akademik 2026/2027

Komuna e Dragashit hap konkursin për bursa studentore për vitin akademik 2026/2027

Written by

in

Aplikimi do të jetë i hapur deri më 9 nëntor, ndërsa përparësi në vlerësim do të kenë studentët me rezultate të larta akademike dhe ata që plotësojnë kriteret e veçanta sociale.

Komuna e Dragashit ka shpallur konkursin për ndarjen e bursave për studentët e saj që studiojnë në universitetet publike në Kosovë, për vitin akademik 2026/2027.

Sipas njoftimit të Drejtorisë Komunale të Arsimit, të drejtë aplikimi kanë studentët e rregullt, banorë të Komunës së Dragashit, të cilët ndjekin studimet themelore (bachelor) në universitetet publike të Kosovës.

Konkursi nuk përfshin studentët në studimet pasuniversitare, përkatësisht në nivelet master dhe doktoratë.

Kriteret për përfitimin e bursës

Për të përfituar bursën komunale, studentët duhet të jenë të regjistruar për vitin akademik 2026/2027, të mos jenë përfitues të bursave nga universiteti apo Ministria e Arsimit, të mos jenë përsëritës të vitit akademik, të mos jenë absolventë dhe të mos jenë në vitin e parë të studimeve.

Vlerësimi i aplikantëve do të bëhet përmes një sistemi pikëzimi, ku rëndësi të veçantë do të ketë suksesi akademik.

Studentët me notë mesatare 9–10 do të vlerësohen me 25 pikë, ata me mesatare 8–9 me 20 pikë, studentët me mesatare 7–8 me 15 pikë, ndërsa ata me mesatare 6–7 me 10 pikë.

Pikë shtesë parashihen edhe për kategori të veçanta të studentëve. Studentët që janë përfitues të asistencës sociale do të marrin 20 pikë, ndërsa 15 pikë do t’u takojnë studentëve që studiojnë në drejtime me lëndë deficitare.

Nga 10 pikë parashihen për studentët që studiojnë së bashku me një anëtar tjetër të së njëjtës familje në universitetet publike, studentët pa njërin prind dhe studentët me nevoja të veçanta.

Përparësi në vlerësim do t’u jepet edhe studentëve nga familjet e dëshmorëve, viktimave civile të luftës, veteranëve dhe invalidëve të luftës, si dhe gjinisë femërore, sipas kritereve të përcaktuara në konkurs.

Dokumentet e nevojshme për aplikim

Studentët e interesuar duhet të dorëzojnë formularin e aplikimit të Komunës, dokumentin e identifikimit, kopjen e ID-së së studentit, vërtetimin origjinal të regjistrimit për vitin akademik 2026/2027, certifikatën origjinale të notave dhe vërtetimin se nuk janë përfitues të bursës nga universiteti apo Ministria e Arsimit.

Në varësi të kategorisë për të cilën aplikojnë, kandidatët duhet të paraqesin edhe dokumente shtesë, si deklaratën e bashkësisë familjare, ekstraktin e lindjes dhe vërtetimet përkatëse për statusin social, nevojat e veçanta ose humbjen e prindit.

Komuna ka bërë të ditur se dokumentet e pakompletuara dhe ato të dorëzuara pas afatit zyrtar nuk do të shqyrtohen. Ndërkaq, shuma e bursës do të përcaktohet varësisht nga numri i studentëve përfitues.

Afati i aplikimit përfundon më 9 nëntor

Sipas konkursit, aplikimi do të jetë i hapur për 15 ditë, nga 26 tetori deri më 9 nëntor 2026.

Formularët e aplikimit mund të merren, ndërsa dokumentet duhet të dorëzohen në zyrat e Drejtorisë Komunale të Arsimit, në objektin e DKRS-së në Dragash, nga ora 08:00 deri në 15:00.

Pas përfundimit të afatit, komisioni vlerësues do t’i shqyrtojë aplikimet dhe do t’i propozojë kandidatët për përfitimin e bursave.

Studentët që konsiderojnë se u është mohuar e drejta për bursë, por nuk përfshihen në listën e përfituesve, kanë të drejtë të paraqesin ankesë brenda 48 orëve nga publikimi i listave. Ankesat duhet të dorëzohen në zyrat e DKA-së, në objektin e DKRS-së në Dragash.

Vendimi përfundimtar do të publikohet në tabelat e shpalljeve të DKA-së dhe në uebfaqen e Komunës së Dragashit. /Telegrafi/