Pas mbledhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit, Haxhiu njoftoi se në rend dite do të jenë projektligji për ndarjet buxhetore dhe ai për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Ajo theksoi se funksionalizimi i Byrosë është i rëndësishëm për luftimin e pasurisë së pajustifikueshme, duke u bërë thirrje deputetëve që ta mbështesin këtë proces.
“Pozita publike nuk mund të jetë as rrugë pasurimi, as mburojë për të fshehur pasurinë e pajustifikueshme. Zyrtari që nuk mund ta arsyetojë pasurinë me të ardhura të ligjshme, duhet të japë llogari”, ka shkruar Haxhiu në një postim në Facebook.
Ajo u shpreh se pret mbështetjen e deputetëve për përfundimin e këtij procesi dhe zbatimin e ligjit në praktikë.
Haxhiu bëri të ditur gjithashtu se Kryesia ka vendosur të shpallë konkurs publik për dizajnimin e logos së Kuvendit.
Sipas saj, me plotësimin e institucioneve, Kuvendi ka hyrë në ritmin e rregullt të punës, me mbledhje të Kryesisë çdo të hënë dhe seanca plenare çdo të enjte.
Ajo theksoi se, me rreth 200 projektligje në agjendën e Qeverisë, synimi është që ato të trajtohen pa vonesa dhe me përgjegjësi.
Në mbledhjen e sotme të Kryesisë është dorëzuar edhe një nismë qytetare për ndryshimin e Kodit Penal, e cila, sipas Haxhiut, do të trajtohet në përputhje me procedurat e parapara.
Burimi: RTKLive
