
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, në seancën e sotme kushtuar rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra në Vitomiricë të Pejës, ka kërkuar ndërmarrjen e hapave konkretë dhe shqyrtimin e plotë të mënyrës se si u trajtua rasti i saj.
Gërvalla ka theksuar se dështimi i një hallke të vetme mund të ketë pasoja të rënda, duke nënvizuar nevojën për të analizuar veprimet dhe vendimet institucionale.
“Nëse një hallkë nuk funksionon, pasojat mund të jenë të rënda, prandaj konsideroj se duhet të ndërmarrim hapa konkret në disa drejtime”.
Ajo tha se një nga hapat e parë duhet të jetë shqyrtimi i plotë i rastit të Arlinda Zekajt, përmes të cilit do të dokumentohet kronologjia e trajtimit të të gjitha rasteve të saj.
“Së pari shqyrtimi i plotë i rastit të Arlinda Zekajt, i cili do të sigurojë një kronologji të dokumentuar të trajtimit të të gjitha rasteve të saj, duke përfshirë raportimet, kërkesat, vlerësimet e rrezikut, vendimet e marra, masat e shqyrtuara dhe komunikimi ndërmjet institucioneve. Ky shqyrtim duhet të identifikojë qartë se çfarë dhe kur është bërë apo nuk është bërë”, u shpreh ajo./Klankosova.tv