Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka kërkuar dorëheqje dhe shkarkime pas vrasjes së Arlinda Zekajt, duke thënë se përtej ngushëllimeve dhe dënimit të rastit, institucionet duhet të reflektojnë dhe të marrin përgjegjësi.
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, të thirrur pas vrasjes së Arlindës, Tahiri ka thënë se ky rast nuk duhet të trajtohet si një tragjedi e izoluar, por si pjesë e një fenomeni që kërkon reagim konkret nga institucionet përgjegjëse.
Ai ka kritikuar mungesën e veprimeve përtej deklaratave publike, duke theksuar se institucionet dhe përfaqësuesit e zgjedhur duhet të reflektojnë për përgjegjësitë e tyre.
“Vrasja e Arlindës është një tragjedi, që na ka tronditur të gjithëve. Por nuk është një rast i veçuar. Fatkeqësisht, është duke u bërë një fenomen i cili në Kosovë na obligon, sidomos neve që jemi në Kuvend, të zgjedhur, mirëpo edhe institucioneve përgjegjëse të reflektojmë dhe mbi të gjitha të kërkojmë përgjegjësi”, ka thënë Tahiri.
Ai ka vlerësuar se shprehja e ngushëllimeve dhe dënimi i krimit nuk janë të mjaftueshme, nëse nuk pasohen me veprime konkrete dhe llogaridhënie institucionale.
“Nuk mjafton vetëm të shprehim ngushëllime. Nuk mjafton vetëm të dënojmë rastin. Nuk mjafton të vazhdojmë të flasim vetëm atëherë kur ndodhin tragjeditë”, ka deklaruar ai.
Tahiri ka kërkuar që pas kësaj ngjarjeje të ketë dorëheqje dhe shkarkime, duke i cilësuar ato si veprime etike përballë dhimbjes që rasti u ka shkaktuar qytetarëve.
“Sot do të duhej të kishte reflektim, do të duhej të kishte dorëheqje, do të duhej të kishte shkarkim, mos kurrgjë si veprim etik ndaj një ngjarjeje e cila i shkaktoi dhimbje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Tahiri.
Burimi: Dukagjini
