Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka kërkuar hetim të plotë për rastin e Arlinda Zekajt, duke theksuar nevojën për të sqaruar nëse institucionet përgjegjëse kanë përmbushur detyrimet e tyre për mbrojtjen e saj.
Duke folur në Kuvend, Gërvalla, e cila është edhe koordinatore kombëtare për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe dhuna me bazë gjinore, tha se kur një grua humb jetën pasi ka kërkuar ndihmë, duhet të shqyrtohen të gjitha rrethanat që i kanë paraprirë tragjedisë.
Ajo bëri të ditur se ka kërkuar informacion zyrtar nga Policia e Kosovës për rastin, ndërsa në një takim të jashtëzakonshëm ndërinstitucional është kërkuar verifikimi urgjent i fakteve nga institucionet kompetente.
Gërvalla tha se nga takimi nuk është larguar me bindjen se institucionet përgjegjëse e kanë kryer plotësisht detyrën e tyre në përputhje me ligjin.
Ajo kërkoi shqyrtimin e plotë të rastit, rishikimin urgjent të rasteve aktive të dhunës në familje me rrezik të lartë, forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe krijimin e një mekanizmi për analizimin e vrasjeve të grave.
“Përgjegjësia duhet të përcaktohet mbi bazën e fakteve dhe aty ku faktet evidentojnë shkelje, duhet të ndërmerren veprime përkatëse ligjore dhe disiplinore”, deklaroi Gërvalla.
Ajo theksoi se llogaridhënia nuk duhet të shihet si sulm ndaj institucioneve, por si kusht për funksionimin e tyre dhe për garantimin e sigurisë së viktimave.
Në fund, ministrja u bëri thirrje institucioneve kompetente që të veprojnë me urgjencë dhe përgjegjësi, duke nënvizuar se mbrojtja e jetës duhet të dëshmohet me veprime konkrete dhe jo vetëm me deklarata.
Burimi: RTKLive
