Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë miratuar publikimin e versioneve me më pak redaktime të transkripteve të dëshmive të dhjetë dëshmitarëve në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Në vendimin e publikuar më 26 tetor 2026, Trupi Gjykues II ka vlerësuar se pjesët e transkripteve që nuk kërkojnë redaktime të mëtejshme mund të bëhen publike, duke ruajtur mbrojtjen e identitetit, privatësisë dhe sigurisë së dëshmitarëve dhe personave të tjerë.
Trupi gjykues ka miratuar redaktimet e propozuara nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, me disa ndryshime, ndërsa ka vlerësuar se disa redaktime shtesë të kërkuara nga Zyra për Mbrojtjen dhe Mbështetjen e Dëshmitarëve nuk janë të nevojshme, veçanërisht kur informacionet përkatëse janë tashmë publike.
Sipas vendimit, Prokuroria duhet t’ia dorëzojë Zyrës së Regjistrimit versionet e transkripteve me më pak redaktime, ndërsa kjo e fundit duhet të sigurojë zbatimin e redaktimeve përkatëse edhe në versionet në gjuhën shqipe dhe serbe, si dhe në incizimet audio-vizuale, për aq sa është teknikisht e mundur.
Burimi: RTKLive
